Në Spitalin Memorial të Fierit është realizuar me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale për rikonstruksionin e ligamentit cruciat posterior (PCL Reconstruction) në një institucion publik shëndetësor në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi operacionin si një arritje të rëndësishme për sistemin shëndetësor në vend.
“Kjo ndërhyrje përfaqëson një standard të ri të teknologjisë së avancuar, të mundësuar falë përdorimit të artroskopit.
Mirënjohje ekipit shqiptaro–turk: mjekëve kirurgë ortopedë Dr. Gökhan Sayer, Dr. Arsel Dizdari dhe Dr. Mehmet Ali Yayla, si edhe ekipit anesteziologjik të drejtuar nga Dr. Edison Taraj, infermierit Renato Zeneli dhe teknikës së anestezisë Migena Danaj.”, shkruan Rama.
Kjo ndërhyrje është e rrallë dhe e vështirë sepse ligamenti PCL ndodhet në një zonë të thellë dhe të vështirë për t’u aksesuar, ku kalojnë struktura jetike si enë të mëdha gjaku, çka kërkon pajisje të avancuara artroskopike dhe ekspertizë të lartë kirurgjikale.







