Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka zhvilluar mbledhjen e dytë, duke shënuar kështu nisjen efektive të punës pas bojkotit fillestar të opozitës. Nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Arbjan Mazniku (PS) dhe Luçiano Boçi (PD), palët kanë treguar vullnet për bashkëpunim, duke miratuar kalendarin e punës dhe strukturën e ekspertëve.
Klima e bashkëpunimit
Ndryshe nga mbledhja e parë e zhvilluar një muaj më parë, e cila u bojkotua nga deputetët demokratë, takimi i sotëm u karakterizua nga një frymë konsensusi. Bashkëkryetari socialist, Arbjan Mazniku, theksoi se është koha për të komunikuar me të gjithë aktorët vendorë dhe qytetarët.
“Nga të gjitha palët janë dhënë mjaftueshëm mesazhe për gatishmërinë për të punuar bashkërisht, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për t’i ofruar një strukturë qeverisje vendore efektive,” u shpreh Mazniku.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat, Luçiano Boçi, konfirmoi vullnetin e opozitës për të çuar përpara këtë proces, duke e cilësuar atë si një nevojë urgjente që vjen, sipas tij, nga dështimi i reformës së vitit 2015.
“Ne kemi vullnetin e plotë dhe dëshirën për të vijuar për një reformë, që është reformë mbi reformë. Kjo vjen për shkak të dështimit spektakolar të reformës së vitit 2015,” deklaroi Boçi.
Afatet, harta dhe financat
Gjatë mbledhjes u zbardh edhe kalendari i punës, i cili është i kushtëzuar nga afatet ligjore për zgjedhjet e ardhshme vendore. Mazniku sqaroi se komisioni do të prodhojë tre dokumente që prekin: funksionimin e pushtetit vendor, financimin dhe ndarjen territoriale.
Afatet kyçe janë:
Mars 2026- Prezantimi i “Dokumentit të Bardhë” (White Paper) me zgjidhjet e propozuara.
Maj 2026- Përgatitja e paketave ligjore.
Qershor-Korrik 2026- Afati i fundit për miratimin e ndryshimit të hartës territoriale (një vit para zgjedhjeve).
Për sa i përket kompetencave dhe financave, afatet janë më fleksibël pasi hyrja e tyre në fuqi parashikohet pas vitit 2027.
Struktura e Ekspertëve Komisioni ra dakord t’i propozojë Byrosë së Kuvendit një strukturë ekspertize të ndarë në dy nivele:
Grupi i Lartë- 10 ekspertë me eksperiencë të gjerë që do të shërbejnë si grup analize.
Grupi Teknik- 18 anëtarë të ndarë në tre nëngrupe (Territori dhe qeverisja; Financat vendore; Funksionet/shërbimet).
Çështja e vetme e shtyrë për seancën e radhës ishte caktimi i sekretarit të komisionit.







