HomeEkonomiTregu i sigurimeve, sigurimi me rritje dyshifrore të primeve dhe ulje të...

Tregu i sigurimeve, sigurimi me rritje dyshifrore të primeve dhe ulje të dëmeve

Advertismentspot_img

Tregu i sigurimeve po rritet me ritme dyshifrore këtë vit, i mbështetur nga çmimet e reja të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve dhe një efekti më të vogël negativ të kursit të këmbimit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu i sigurimeve për 10-mujorin 2025 arriti një vlerë të primeve të shkruara bruto prej 22.3 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 10.5%. Një vit më parë, në fund të 10-mujorit, rritja kishte qenë 7.6%.

Këtë vit tregu i sigurimeve po mbështetet kryesisht nga rritja me ritme të përshpejtuara të produktit kryesor, sigurimit për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta, TPL. Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto nga ky produkt arritën vlerën e 11.7 miliardë lekëve, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Ky produkt solli më shumë se 57% të primeve të shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës. Pjesërisht, rritja e primeve të shkruara bruto i detyrohet sistemit të ri të llogaritjes së primeve mbi bazë risku, që ka sjellë një shtrenjtim mesatar të primit të sigurimit me afërsisht 6%.

Nga ana tjetër, përmirësimi i rritjes së tregut i detyrohet një efekti më të reduktuar të kursit të këmbimit, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e produkteve të sigurimit shiten në Euro. Sipas AMF-së, në gjysmën e parë të vitit pesha e primeve të shkruara bruto në Euro kundrejt totalit u rrit në 31.4%, nga 33.2% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Zhvlerësimi i Euros këtë vit është më i ngadaltë. Me bazë vjetore, kursi i këmbimit Euro-Lek është në rënie me afërsisht 1.5%, ndërsa një vit më parë rënia ishte pranë nivelit të 7%.

Në nivel të segmenteve të tregut, tregu i sigurimit të Jetës vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes krahasuar me segmentin më të madh, të sigurimit të jo-jetës.

Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto u rritën me 13.9% krahasuar me një vit më parë (një vit më parë rritja kishte qenë 98.5%).

Tregu i sigurimeve të Jetës vazhdon të mbështetet gjerësisht te sigurimi i jetës së debitorit. Ky produkt sjell pothuajse 83% të volumit total të primeve të shkruara bruto. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare. Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë afatgjatë. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme.

Segment më i madh i tregut, ai i sigurimeve të Jo-Jetës, për 10-mujorin shënoi një rritje me 10.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Efektin kryesor e ka dhënë rritja e sigurimit të brendshëm TPL, por rritje dyshifrore këtë vit po shfaqin edhe produkti tjetër i sigurimit motorik, sigurimi KASKO i automjeteve. Primet e shkruara bruto për këtë produkt janë rritur me 10.6% krahasuar me një vit më parë, të mbështetura sidomos nga zgjerimi i biznesit të makinave me qira.

Ndërsa sigurimi i pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, që është edhe produkti kryesor i sigurimit vullnetar, edhe këtë vit po shënon një rritje modeste. Sipas shifrave të AMF-së, primet e shkruara bruto për 10-mujorin kishin vlerën e pak më shumë se 2 miliardë lekëve, me një rritje prej 4.5% krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit këtë vit vazhdojnë të jenë në nivele më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Për 10 muaj, dëmet e paguara bruto nga siguruesit kishin vlerën e 6.9 miliardë lekëve, 2% më shumë krahasuar me 10-mujorin 2024. Ndërkohë që në sigurimin e Jetës dëmet kanë shënuar një rritje të lehtë me 1.4%, në tregun e Jo-Jetës ato paraqiten në rënie, duke përfshirë edhe pagesat e kryera nëpërmjet Byrosë Shqiptare të Sigurimit.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular