HomeOP ED29 Nëntor, 81 vjet të nëmur nga lufta mes vedit/GJENERAL PIRO AHMETAJ

29 Nëntor, 81 vjet të nëmur nga lufta mes vedit/GJENERAL PIRO AHMETAJ

Advertismentspot_img

GJENERAL PIRO AHMETAJ

Paraprakisht, dëshiroj t’iu bashkohem urimeve të mbarë shqiptarëve: “Gëzuar 113-vjetorin e pavarësisë si dhe 81-vjetorin e çlirimit nga nazi-fashistët”. Ndërsa përtej luftës turpëruese për datën, përsëris: “përuljen” për martirët e flijuar në shekuj për pavarësinë dhe çlirimin nga okupatorët, si dhe “nderimin” për luftëtarë e një gjenerate patriotësh që pa dallim feje, bindjesh politike dhe krahine iu bashkuan fitimtarëve të koalicionit antifashist në Luftën e II Botërore.

Fatkeqësisht, për 47 vjet (1944 – 1991) ndasitë biografike prodhuan pasoja makabre mbi shqiptarët, ndërsa mbetet shumë e shëmtuar edhe përleshja politike për datën e çlirimit nga nazifashistët (28 apo 29 Nëntor)! Pyetja mbetet fare e thjeshtë: “Për agjendën/interesat e kujt (?) çdo fund nëntori riciklohet kjo luftë meskinësh”? Edhe përgjigja është e sigurt: “Përleshjet, përfshi kurorat/rutinën bollshevike në varrezat e dëshmorëve për datën e çlirimit”, nuk iu kanë shërbyer shqiptarëve dhe interesave kombëtare.

Kështu, 33 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist është provuar për këdo (përjashto të sëmurët fatkeq) që: “beteja si e Stalingradit për datën e çlirimit nga nazi-fashistët nuk ka të bëjë fare me nderimin e gjakut të dëshmorëve dhe as me sakrificat e shqiptarëve”!

Në të kundërt, ky teatër i neveritur, iu ka shërbyer vetëm interesave të një sektipolitikanësh me kollare demokratike, ose siç i quan i ndjeri Arben Duka: “Kopeje e hajdutëve, gjysma ngjyrë Blu, gjysma e Kuqe”, të cilët për 33 vjet, mbasi hipotekuan partitë, iu vodhën shqiptarëve votat, pronat si dhe ardhmërinë Euroatlantike, përpiqen të mbajnë të frymëzuar ushtritë e militantëve të verbër për të mbajtur apo për ta marrë me çdo çmim/ mjet pushtetin. Ndaj e përsëris, aq sa i merituar nderimi që mbart kjo ngjarje, po aq turpëruese mbetet beteja mes të gjallëve: “Kryesisht për pronarët partive, shtetarët kusarë dhe sekserëve rrotull tyre”. Kjo në fakt, ngjet si mallkim, ose siç mençurisht e definon shkrimtari i mirënjohur Besnik Mustafai: “Në mëni (për të luftuar) mes njëni tjetrin”!

Së dyti, në vijim gjeni një “paketë me 5 të vërteta te gjithëpranuara”, të cilat shpresoj shumë që përtej ndasive staliniste t’i përbashkojnë shqiptarët rreth datës së çlirimit nga nazifashitët:

E vërteta nr. 1: Përtej delireve bollshevike për orën dhe numrin e këpucëve të nazistit që u largua i fundit nga Hani i Hotit: “çlirimi i R.Sh nga nazi-fashistët mbetet një ngjarje e lavdishme në historinë kombëtare”. Kjo, pasi përpos të tjerave “Shqipëria e vogël, u rreshtua në koalicionin e madh të fitimtarëve”.

E vërteta nr.2: Zgjimi i vetëdijes kombëtare mbi ekzagjerimet enveriste të LANÇ, çka do të shërbente edhe si falje/ pendesë për vrasjet barbare si dhe burgosjet vetëm të kundërshtarëve politikë të pushtetit, por edhe mijëra bashkëluftëtarëve. A nuk do të ishte shumë cinike të mos përulemi me të njëjtin nderim edhe para antifashistes Mysine Kokalarit etj., elitave kombëtare si dhe mijëra shqiptarëve që dhanë jetën, pasurinë dhe gjithçka për çlirimin dhe e orientimin perëndimor, por u vranë dhe persekutuan edhe me brutalisht nga regjimi komunist i pas Nëntorit 1944 deri në 1991?! Pa pranuar këtë të vërtetë, pa kërkuar ende falje shtetërore si dhe pendesë njerëzore për mijëra krimet, burgosjet, internimet, etj., pajtimi kombëtar “mes vedit ose shoshoqit” jo vetëm për datën e çlirimit nga nazi-fashistet do vijojë të mbetet mision i pamundur.

E vërteta nr. 3: vendet e vogla si Shqipëria, do vijojnë ta kenë të pamundur të vetëpërcaktojnë fatet gjeopolitike! Si e tillë, edhe çlirimi nga nazi-fashistët dhe rreshtimi në kampin lindor: “as i mitizon, as i shfajëson aktorët politikë të kohës”. Kështu që përtej patriotëve sarahosh, do duhet të pranohet urtësisht që kontributi i Shqipërisë ishte modest në fitoren e madhe të Luftës së II Botërore, pasi gjithsesi Shqipëria do ishte çliruar “jo më vonë se 8 Maji 1945”, apo jo?!

E vërteta nr. 4: bazuar në arkivat shtetërore, deri në 1947, 28 nëntori është festuar zyrtarisht edhe si datë e çlirimit nga nazifashistët. Kjo konfirmohet edhe nga vetë Enver Hoxha, citoj: “28 Nëntori, dita e flamurit u bë dy herë e shenjtë…”! Kështu duke e njehsuar me festën e Çlirimit të Federatës Jugosllavisë, 29 nëntori mbetet edhe si një provë e vasalitetit kriminal të diktatorit Hoxha ndaj Marshallit Tito.

E vërteta nr.5: mbas viteve 1990, në shumicën e vendeve të sunduara nga “stalininizmi”, u aplikua dënimi për krime kundër njerëzimit ndaj “udhëheqësve suprem, anëtarëve të Byrosë Politike, Sigurimit të Shtetit etj.”. Ndërsa modeli qesharak i RSH duke dënuar “për kafe” aktorët/autorët e një ndërmarrje kriminale, ndërsa duke emëruar si funksionarë të lartë shtetërorë, deputet, ministra, ishhetues dhe Spiunë të regjimit kriminal, hajdut apo sekserë pa emër dhe pa integritet, mbetet gjithsesi një thikë në shpinën e aspiratave demokratike, për të cilat u ngritën shqiptarët e rraskapitur në 1991!

Së treti: Duke mbajtur në konsideratë si themele te konsensusi gjithëpërfshirës, 5 gjetjet e mësipërme, si datë zyrtare e çlirimit të RSH do të risugjeroja një nga 3 opsionet/datat në vijim: “Opsioni parë”: data 28 Nëntor, duke i bashkuar si vlera komplementare 2 ngjarjet madhore (pavarësinë dhe çlirimin nga zazi-fashistët)!

“Opsioni dytë”: data 17 Nëntor, çlirimi i Tiranës, ndërsa edhe me definicionin: “data zyrtare e çlirimit, ose data kur në kryeqytet është ulur flamuri i pushtuesit dhe është ngritur flamuri kombëtar”! “Opsioni i tretë”: data 8 Maj, ose bashkimi me fitoren e koalicion të fitimtarëve mbi fashizmin (8 Maj 1945), datë që e festojnë edhe +20 nga 32 vende të NATO-s. Mbetem shpresëplotë se secila nga këto 3 opsione do ishte jo vetëm një zgjidhje e mençur/ munguar për 81 (48+33) vjet, por dhe do të shërbente si “ilaç për të mjekuar plagët e luftës kriminale të klasave”, pasi do të mbillte kohezion kombëtar, konsensus të gjerë mes politikanëve të gjeneratës së re si dhe do të kontribuonte për pajtim, pra jo vetëm rreth datës çlirimin nga nazifashistët!

Shpresoj që ky opinioni të zgjojë “institucionin e mos-harresës” për të punuar/ luftuar çdo ditë kundër riciklimit të rrënjëve të luftës çnjerëzore nga neo-nazistët, neo-stalinistët dhe neo-enveristët. Me këtë rast, përsëris mirënjohjen për ushtarakët, punonjësit e policisë, emergjencave civile dhe ndaj kujtdo të angazhuar, që sakrifikojnë për mbrojtjen e sovranitetit, për sigurinë e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve; stabilitetin demokratik si dhe si dhe zhvillimin e interesave kombëtare, përfshi integrimin në strukturat e vlerave euro-atlantike.

Së fundmi, me duhet ta qartësoj edhe më fortë se sa gjetjet e këtij opinioni, si edhe në qindra produktet strategjike, nuk po bëj analistin e gjithëditur, as pronarin e të vërtetës shteruese, por duke u përulur shpresoj të kontribuojnë, qoftë modestisht, për të “zgjuar vetëdijen kombëtare mbi të vërtetat, vlerat, kërcënimet dhe interesat që i përbashkojnë mbarë-shqiptarët”!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular