Turizmi dhe bujqësia duket të jenë dy sektorët që kërcënohen më së shumti nga ndryshimet klimatike.
Plani i qeverisë për përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve i nxjerrë tashmë në konsultim, analizon të paktën pesë sektorë që mund të preken nga këto ndryshime ku ndikimi nga njëra tek tjetra varion ndërkohë që edhe brenda vetë sektorëve ka nënsektorë me panorama krejt të ndryshme.
“Vlerësimet tregojnë se risqet kombëtare klimatike në Shqipëri vijnë duke u rritur me kalimin e kohës, si edhe pesimizmin e skenarit. Sektorët e zhvillimit urban, bujqësisë dhe turizmit kanë nivelin më të lartë të riskut, ndërsa sektorët e energjisë dhe transportit kanë nivele më të ulëta (vlen për risqet aktuale dhe ato të ardhshme).
Arsyeja kryesore për këtë është ndjeshmëria e bujqësisë dhe turizmit ndaj ndryshimeve të variablave klimatike, ndërsa për sektorin e zhvillimit urban arsyeja kryesore është ndjeshmëria ndaj rritjes së temperaturave dhe valëve të të nxehtit duke marrë parasysh efektet e ishujve urbanë të nxehtësisë, si edhe përqendrimi i konsiderueshëm i sektorit të zhvillimit urban në bregdet” thuhet në planin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Sipas dokumentit disa prej rreziqeve mund të mos jenë shumë evidentë sot por në të ardhmen mund të kthehen në problem serioz.
Të tillë janë nënsektorët e kulturave të përkohshme, ekoturizmit dhe zhvillimit urban që sipas ekspertëve janë më të rrezikuarit. I njëjti vlerëson se nënsektorët më pak të rrezikuar janë derrat dhe shpendët, delet dhe dhitë, energjia e erës dhe energjia diellore dhe transporti ajror.
“Ky vlerësim duhet të kombinohet me një vlerësim të rëndësisë relative të sektorëve në Shqipëri. Risqet klimatike në zhvillimin urban janë kyç duke qenë se, pas një procesi të fuqishëm urbanizmi, pothuajse dy të tretat (62%) e popullsisë së vendit jetonte në zona urbane në vitin 2020, dhe parashikohet që ky numër të rritet.
Gjithashtu, qytetet janë qendra ekonomike, te të cilat përqendrohen veprimtaritë më të rëndësishme ekonomike të vendit, përfshirë shërbimet dhe industrinë.
Edhe risqet klimatike në sektorin e turizmit, veçanërisht ato të nënsektorit të turizmit bregdetar, janë me rëndësi ekonomike për Shqipërinë. Risku i lartë për bujqësinë përbën shqetësim sa i përket punësimit dhe sigurisë ushqimore, veçanërisht në zonat e mëdha rurale të vendit” nënvizon plani.
Ky dokument që parashikon 66 masa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike 2026-2036 ka një kosto prej 9.8 miliardë dollarësh me një hendek financiar të konsiderueshëm për të cilin do të kërkohet angazhimi i një sërë palëve për të siguruar nevojat./ N.Maho








