Tensione janë shënuar këtë të diel në protestën e fermerëve në Greqi. Sipas mediave greke, protestuesit janë përplasur me policinë, duke thyer me traktorë dhe mjete bujqësore bllokadën e vendosur nga forcat e rendit.
Për pasojë, është bllokuar aksi kryesor Athinë–Selanik. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe substanca kimike për t’i shpërndarë, ndërsa disa fermerë kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në spital për trajtim.
Mediat vendase raportojnë se protestat po përshkallëzohen, teksa fermerët paralajmërojnë se do të vazhdojnë me demonstratat e tyre për shkak të kostove gjithnjë e më të larta të prodhimit, çmimeve të ulëta dhe vonesave në pagesat që marrin.







