Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon situatën alarmante mbi shërbimin onkologjik në vend, ku sistemi i ngritur prej vitesh për ofrimin e kimioterapisë pranë spitaleve rajonale vijon të funksionojë me mangësi të thella strukturore dhe organizative.
Raporti thekson se njësitë e kimioterapisë në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat janë funksionale në letër, por me mangësi serioze, ndërsa në Lezhë kjo njësi nuk funksionon fare.
Auditimi zbulon se problemi nuk qëndron vetëm te kapacitetet, por nis që tek dokumentet bazë: njësitë e kimioterapisë nuk figurojnë në rregulloret e brendshme të spitaleve, sikur të mos ekzistonin zyrtarisht. Në praktikë, ato vuajnë mungesa serioze me burimet njerëzore, duke mos pasur mjekë onkologë të mjaftueshëm, pajisje të specializuara dhe as shtretër të dedikuar për trajtime që kërkojnë standarde të larta sigurie. Këto mangësi kanë bërë që spitalet rajonale të mos jenë në gjendje të përballojnë skemat e trajtimit të kimioterapisë dhe të mos garantojnë vazhdimësinë e nevojshme për pacientët që luftojnë me sëmundjet tumorale.
Një tjetër problem i rëndë i evidentuar nga KLSH është mungesa e informatizimit. Në shumicën e spitaleve rajonale, të dhënat për pacientët onkologjikë mbahen ende në regjistra manualë, të cilët nuk përkojnë me të dhënat zyrtare të Spitalit Onkologjik në Tiranë. Kjo praktikë e vjetëruar jo vetëm krijon konfuzion në raportime, por e bën të pamundur gjurmimin e duhur të ecurisë së trajtimit, planifikimin e nevojave mjekësore dhe garantimin e transparencës. Në disa spitale, përfshirë Shkodrën, Elbasanin dhe Beratin, stafi nuk përgatit as plane kujdesi për pacientët në nevojë për trajtim paliativ, duke lënë jashtë çdo protokolli grupin më delikat të pacientëve.
Raporti thekson me shqetësim se spitalet rajonale nuk kanë mundësi të planifikojnë numrin e pacientëve me kancer si raste të reja dhe as të projektojnë skemat e mjekimit që duhet të marrin nga Spitali Onkologjik në Tiranë. Ky boshllëk planifikimi rrit ndjeshëm riskun e mungesës së medikamenteve antitumorale, një situatë që në praktikë mund të përkthehet në vonesa trajtimi dhe në rrezik serioz për jetën e pacientëve.
Përballë këtij realiteti të rëndë, KLSH kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Spitalet rajonale duhet të përfshijnë detyrat e njësive të kimioterapisë në rregulloret e tyre dhe të hartojnë plane të qarta për kujdesin paliativ. Ministria e Shëndetësisë, së bashku me spitalet, duhet të plotësojë urgjentisht vendet e munguara të mjekëve dhe infermierëve, të sigurojë shtretër të dedikuar për trajtimet onkologjike dhe të krijojë një sistem të informatizuar online për raportimin dhe ndjekjen e pacientëve me sëmundje tumorale. Gjetjet e KLSH nënvizojnë qartë se pa një ndërhyrje të fortë dhe të koordinuar, sistemi aktual rrezikon të lërë pa mbrojtje një nga grupet më vulnerabël të pacientëve në Shqipëri.







