Brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, në Shqipëri do të kemi investimet e para nga paketa e maleve.
Në një intervistë për TV Klan Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo thotë se investimet e para nga kjo paketë do të zhvillohen në 8 bashkitë të cilave tashmë u janë miratuar zonat prioritare.
“Tremujori i parë i 2026, do të jetë tremujori i cili do shohim le të themi dallëndyshet e para të rasteve të cilat do të jenë të gatshme vazhdojnë më pas me procedurat e marrjes së lejes së ndërtimit, për të vazhduar me procesin e marrjes së dokumentacionit të pronësisë.
Ne kemi bashkinë Përmet, Skrapar, Elbasan, Belsh, Kukës, Shkodër, Shijak, Mat, që tashmë kanë të miratuara zonat prioritare. Përfundojmë me Vaun e Dejës, me Bashkinë Klos, Bashkinë Memaliaj, dhe javët që vijnë më pas do të kemi Bashkinë Vlorë”, tha Demo.
Në total deri tani janë 68 zona zhvillimore të përcaktuara, por Demo thotë se ky numër do të rritet pasi një pjesë e madhe e bashkive janë ende në proces shqyrtimi.
“Janë rreth 40 bashki në këtë moment që flasim që kanë filluar procesin e përzgjedhjes së zonave prioritare. Deri në muajin janar të kemi përmbyllur përcaktimin e zonave prioritare siç e përcakton dhe vetë ligji. Flasim për zona të izoluara, patjetër që kjo është një paketë që krijon mundësinë të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të atyre zonave, për të garantuar zhvillimin territor të sipërmarrjeve sipas prioriteteve që kanë përcaktuar vetë bashkitë”, tha Demo.
Të gjithë ata individë të cilët kanë interes për të investuar në këto zona prioritare do të aplikojnë në një portal kombëtar për paketën e maleve.
“Të gjithë personat që do të aplikojnë do të shprehin interesin, i cili do të jetë më pas edhe i mbështetur me dokumentacionin përkatës siç e parashikon ligji. Janë bashkitë ato që do marrin këto aplikime, do bëjnë verifikime në terren dhe do ndjekin hapat ligjorë për të garantuar transparencë për komunitetin”, tha Demo.
Aplikuesit e parë do të përfitojnë edhe lehtësira fiskale.
“Paketa e maleve zgjidh një nga problemet që mund të jetë lidhur me pronësinë. Por së dyti patjetër është përjashtimi nga detyrimet, duke filluar që nga taksat e ndërtimit, por më pas edhe përjashtimin nga TVSH-ja. 500 rastet e para që do fillojnë të investojnë përmes Paketës së Maleve, do të jenë përfituesi të këtyre iniciativave që janë shumë të rëndësishme për këtë biznes”, tha Demo.
Paketa e Maleve është një nismë ligjore dhe zhvillimore e Qeverisë Shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit. Në fazën e parë të shpalljes së kësaj nisme 4 mijë persona shfaqën interes për të investuar. Numri më i madh i aplikimeve vinte nga qarku i Shkodrës.
Tv Klan







