Në një kohë kur çështja e strehimit po bëhet gjithnjë e më qendrore në debatet shoqërore, të dhënat e fundit të Eurostat-it për vitin 2024 vendosin Shqipërinë në një pozicion që kërkon vëmendje të veçantë. Më shumë se gjysma e popullsisë jeton në banesa të mbipopulluara, përqindja më e lartë ndër të gjitha vendet e analizuara. Ky realitet, që prek mënyrën se si shqiptarët jetojnë, punojnë dhe rrisin familjet e tyre, flet qartë për një sfidë të thellë sociale dhe ekonomike.
Nëse e shohim Shqipërinë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, diferenca është e ndjeshme. Mesatarja e BE-së në vitin 2024 qëndron në 16.9%, një nivel shumë më i ulët sesa ai i vendit tonë. Edhe shtetet që tradicionalisht përballen me vështirësi në strehim, si Rumania (40.7%), Serbia (46.6%) apo Turqia (38.2%), mbeten poshtë shifrës shqiptare. Ndërkohë Bullgaria (33.8%), Kroacia (31.7%) dhe Polonia (33.7%) paraqesin norma më të ulëta, duke treguar se edhe vendet me të ardhura më të moderuara kanë arritur të frenojnë mbipopullimi në banesë.
Në anën tjetër të panoramës europiane gjenden vendet me performancën më të mirë: Qipro me vetëm 2.4% mbipopullim, Malta me 4.4% dhe Holanda me 4.6%. Këto shtete, ashtu si edhe Norvegjia (5.8%), Irlanda (5.0%) dhe Zvicra (7.6%), tregojnë se politikat e qëndrueshme të strehimit dhe standardet e larta të mirëqenies ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës.
Edhe të dhënat e Censit e thellojnë edhe më shumë panoramën e mbipopullimit në Shqipëri, duke treguar qartë se familjet me shumë anëtarë janë ato që preken më rëndë nga mungesa e hapësirës së mjaftueshme. Nga 726 mijë banesat e banuara, pjesa më e madhe e shtëpive me 4 dhe sidomos me 5 ose më shumë persona gjenden në kategori sipërfaqesh relativisht të vogla. Për shembull, mbi 67 mijë familje me 5+ anëtarë jetojnë në banesa prej vetëm 40-69 m², ndërsa gati 40 mijë të tjera jetojnë në shtëpi 70-99 m², një hapësirë që shpesh është larg nevojave reale të një familjeje të madhe.
https://flo.uri.sh/visualisation/26575723/embed?auto=1








