Këshilli i Ministrave miratoi sot kalimin e fondit prej 25 milionë lekë, në kuadër të mbështetjes së veprimtarisë së fondacionit “Kinostudio”.
Sipas vendimit të qeverisë, fondi transferohet në llogarinë bankare të fondacionit “Kinostudio” dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Arsimit, në programin buxhetor 01110 “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në llogarinë ekonomike 604. Financimi mbulon veprimtarinë për një periudhë 12-mujore.
Fondacioni “Kinostudio”, brenda muajit dhjetor 2025, pas transferimit të fondeve duhet të paraqesë në Ministrinë e Arsimit planin e detajuar të shpenzimeve, të përgatitur në përputhje me klasifikimin ekonomik buxhetor dhe të miratuar nga këshilli drejtues i fondacionit, duke identifikuar të gjitha aktivitetet/produktet, që do të realizohen në kuadër të veprimtarisë së fondacionit “Kinostudio”.
Në vendim thuhet se “fondacioni “Kinostudio” detyrohet të raportojë periodikisht mbi bazë katërmujore në Ministrinë e Arsimit për ecurinë e realizimit të aktiviteteve dhe të përdorimit të fondeve, sipas strukturës së miratuar të shpenzimeve”.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Arsimit dhe fondacioni “Kinostudio”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.







