Tregu i shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) ka shënuar rritje dyshifrore për nëntë muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të shtatorit arriti vlerën e 19 miliardë lekëve ose pothuajse 197 milionë eurove.
Vlera e aktiveve të tregut është rritur me 10.7% që nga fillimi i vitit dhe me 12.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, madhësia e këtij sektori ngelet modeste në raport me segmentet e tjera të tregut financiar dhe kryesisht me sektorin bankar. Asetet e SHKK-ve përbëjnë afërsisht 0.9% të totalit të aktiveve të sistemit bankar në vend.
Shoqëritë e kursim-kreditit ose kooperativat financiare janë një segment i mikrofinancës veçanërisht i suksesshëm në zonat rurale të vendit, me fokus kryesor financimin e ekonomive bujqësore. Ato pranojnë depozita nga anëtarët dhe ofrojnë kredi për ta, duke pasur si qëllim kryesisht mbushjen e boshllëkut që krijon mungesa e pranisë së sektorit bankar në zonat rurale dhe periferike të vendit. Ky model ka rezultuar veçanërisht efikas për ofrimin e shërbimeve financiare në zonat që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar.
Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në shtator të këtij viti, depozitat përbënin afërsisht 64% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 12.15 miliardë lekëve, në rritje 7.1% me bazë vjetore.
Edhe në sektorin e SHKK-ve në dy vitet e fundit po vërehet një rritje e peshës së depozitave në valutë të huaj. Depozitat në valutë janë në rritje vjetore 10%, pavarësisht efektit negative të kursit të këmbimit, duke qenë se bilanci raportohet në Lekë. Ndërsa depozitat në monedhën vendase shënuan një rritje të ulët, me 6% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Pesha e depozitave në valutë ndaj totalit ka arritur në 23%, nga 22.4% që kishte qenë një vit më parë.
Në përgjithësi, SHKK-të ofrojnë norma interesi për depozitat më të larta se bankat tregtare, ndërsa paralelisht edhe kreditë në përgjithësi kanë norma më të larta interesi.
Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve.
Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Agjencia e Sigurimit të Depozitave raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave.
Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të në fundin e 9-mujorit të këtij viti arriti në pothuajse 14 miliardë lekë, me rritje prej 7.1% që nga fillimi i vitit dhe 9% krahasuar me një vit më parë.
Pjesa tjetër e aktiveve konsiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë shumë të vogël zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jo financiare. / Monitor








