HomeEkonomiBesimi i ndërtuesve në nivelin më të ulët në tre vjet, nga...

Besimi i ndërtuesve në nivelin më të ulët në tre vjet, nga rënia e porosive, po çmimet?!

Advertismentspot_img

Indeksi i besimit të sektorit të ndërtimit, që mat prishmëritë e sektorit për porositë, çmimet, normën e shfrytëzimit të kapaciteteve etj ishte në nëntor në nivelin më të ulët në tre vjet.

Indeksi, që matet nga Banka e Shqipërisë në kuadrin e indeksit të besimit të ekonomi u bën ndërtuesve pyetje të tilla si:

-Si ka qenë aktiviteti juaj ndërtues gjatë 3 muajve të kaluar?

-Cilët janë faktorët kryesorë që kufizojnë aktivitetin tuaj ndërtues?

-Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht?

-Si parashikohet ecuria e situatës së biznesit tuaj në të ardhmen

-Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?

-Në çfarë mase po e shfrytëzoni aktualisht kapacitetin tuaj prodhues?

-Si ka qenë gjendja financiare e firmës tuaj gjatë 3 muajve të kaluar?

Sipas Bankës, Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u ul me 3.1 pikë përqindje në muajin nëntor, duke zbritur në -8.9, niveli më i ulët që nga nëntori 2022, duke treguar që gjithnjë e më shumë ndërtues janë pesimistë për të ardhmen e sektorit.

Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100. Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një periudhë të caktuar.

Pritshmëritë kanë ndryshuar në raport me 2024-n, kur balanca në pjesën më të madhe të muajve ishte pozitive.

Megjithatë Banka thekson se aktualisht, niveli i tij është 14.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rënien mujore ndikuan të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet vazhduan të bien këtë muaj.

Balanca e përgjigjeve për pyetjen e kontratave porositëse ishte negative prej -30, që tregon se më shumë ndërtues presin që të ketë më pak porosi, në raport me ata që presin rritje. Ky është niveli më i ulët që nga tetori 2022.

Bizneseve u bëhet pyetja: Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht? 1.Mëse mjaftueshëm (mbi normalen); 2.Mjaftueshëm (normal për sezonin); 3.Jo mjaftueshëm (nën normalen).

Edhe pritshmëria për çmimet është në rënie, ndonëse balanca mbetet pozitive prej 8.6, por në rënie nga muajt e mëparshëm kur treguesi ishte mbi 10.

Kjo do të thotë që është shtuar numri i ndërtuesve që presin rënie të çmimeve, megjithëse ata që mendojnë se çmimet do të rriten janë më shumë se ata që mendojnë se çmimet do të ulen.

Kompanive u bëhet pyetja: Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm? 1. Do të rriten; 2. S’do të ndryshojnë; 3. Do të bien.

Kontributi i ndërtimit në rënie

Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë se pas një rritjeje vitet e fundit, kontributi i ndërtimit në rritjen ekonomike po bie. Në vitin 2023, ndërtimi solli gati një të tretën e rritjes, ndërsa në 2024-n, kontributi zbriti në 13%.

Ritmi i lartë i ndërtimeve, në një korrelacion të çuditshëm që nuk lidhet shumë me kërkesë ofertën, apo me rritjen e të ardhurave e pagave, vetëm sa i ka bërë më të shtrenjta apartamentet për vendasit, sidomos në kryeqytet.

Çmimi mesatar i banesave në Tiranë ka arritur në rreth 2 mijë euro për metër katror, duke u trefishuar në krahasim me dy dekada më parë dhe duke e bërë kryeqytetin shqiptar ndër më të papërballueshmit në Europë, në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Numbeo, duke qenë një faktor shtesë që ka rritur koston e jetesës, krahas produkteve ushqimore.

Pavarësisht frenimit të porosive, ndërtimet pritet të vijojnë, bazuar në lejet e shumta që vazhdojnë të jepen për qiellgërvishtës.

Gjatë vitet të fundit Këshilli Kombëtar i Territorit që është institucioni kryesor që jep lejet për projektet e mëdha dhe ndërtesat shumëkatëshe ka dhënë leje të shumta, si për qiell gërvishtës në kryeqytet, ashtu dhe resortet turistike në bregdet.

Vetëm në mbledhjet e fundit të KKT-së përgjatë këtij viti janë dhënë të paktën 16 lejë ndërtimi për kulla në Tiranë, që janë më të larta sesa 20 kate.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular