Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, nisi dje me 3 dhjetor, foltoren e tij nga qyteti i Durrësit. Ai deklaroi se Partia Demokratike, duhet të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin.
“Sot është koha për të folur edhe për ne”, tha ai duke shtuar se pritshmëritë e shqiptarëve janë të mëdha.
Sipas Salianjit, është e vërtetë që me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk zhvillohen zgjedhje të ndershme, por një arsye pse opozita dhe Partia Demokratike nuk po fiton është edhe prej paaftësisë së saj.
“Do të na urrejë çdo demokrat nëse nuk i përgjigjemi në kohë shqetësimit të tyre. Është e vërtetë si drita e diellit që Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk zhvillojnë zgjedhje të drejta. I kanë goditur zgjedhjet, i kanë zhvlerësuar. I kanë rrethuar votuesit. Ata kanë patronazhim kapilar të çdo qendre votimi dhe njohin emër për emër duke gjurmuar votuesit. Edi Rama përdor mjete të ndyra në politikë, dhe e kam përsëritur që e ka prishur procesin politik në Shqipëri. E ka bërë politikën të papërgjegjshme, të shthurur, pa mision dhe pa kontratë me njerëzit. Zgjedhjet janë si një luftë mes ndërvarësisë për bukën e gojës dhe shtrëngimit me vendin e punës apo sipërmarrjen. Por të dashur miq duhet ta themi hapur dhe me sinqeriteti. Një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare në vend, për të qenë bindëse, për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, për t’i fituar zgjedhjet. Zgjedhjet e pjesshme janë një sinjal i fortë që duhet ta lexojë gjithsecilin prej nesh”, tha Salianji.
Sipas Salianjit është koha për të kuptuar pse demokratët nuk dalin të votojnë. Ai theksoi se pavarësisht skandaleve, Partia Demokratike nuk po rritet.
“Edi Rama rriti të nxirrte me gjithë represionin 15 mijë votues në Vlorë, por ne nuk arritëm të nxirrnim dot më shumë apo rreth 2 mijë e 500. Kjo më bëri të reflektoj dhe kuptoj që ne duhet t’i dëgjojmë demokratët për arsyet se pse demokratët nuk dalin të votojnë. Ne jemi të qartë. Pse nuk i motivojmë ne të dalin të votojnë dhe t’i pyesim. Nuk mund t’i mbyllim as sytë e as veshët kur një superskandal si kapja në korrupsion dhe shpërdorim për 50 milionë euro siç ishte rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku nuk bëri që njerëzit të vërshonin në shesh dhe revoltë dhe ta përmbysnin qeverinë siç po ndodh në Rumani, siç po ndodh në Bullgari dhe siç po ndodh në çdo vend tjetër”, tha Salianji.
Salianji, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike tha se selia blu duhet t’i dëgjojë demokratët, përkundrazi mosdëgjimi i tyre është “një gabim i rëndë”.
Ai theksoi se PD-ja “duhet të hapet, të ripërtërihet, të zgjohet, të rinovohet, besojë te brezi i ri, të kombinojë përvojën me freskinë dhe padiskutim të fitojë”.
“Ndryshimi gjeneracional nuk është më një slogan dhe nuk duhet të jetë më një slogan, është oksigjen politik për PD, është kusht i domosdoshëm për të qenë fitues dehe kthimin e shpresës për ndryshim që mezi e presin jo vetëm demokratët por të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Salianji.
Salianji bën thirrje për ndryshim: PD duhet të hapet, të ripërtërihet!
Ish-deputeti Ervin Salianji, nga takimi i zhvilluar këtë të mërkurë, më 3 dhjetor, në qytetin e Durrësit, ka bërë thirrje për hapjen dhe ripërtëritjen e Partisë Demokratike.
Gjatë fjalimit të tij, Salianji theksoi se PD-ja “duhet të hapet, të ripërtërihet, të zgjohet, të rinovohet, besojë te brezi i ri, të kombinojë përvojën me freskinë dhe padiskutim të fitojë”.
Ish-deputeti beson se Partia Demokratike e ka forcën për të fituar përballë kryeministrit Edi Rama dhe për të bërë rrotacionin.
“Shqipëria ka nevojë për ne, për një PD të hapur, energjike, të sinqertë, që flet për hallet e shoqërisë. Që bëhet zë i qytetarëve. Partia Demokratike është institucion i rrotacionit, ndryshimit për shqiptarët. Shqipëria është pikërisht në një udhëkryq të tillë. Duhet ta themi me zë të lartë dhe të sinqertë, ne e kemi forcën për ta sjellë rrotacionin në këtë Shqipëri, ne e kemi forcën për të fituar dhe është detyrim që i kemi shqiptarëve e demokratëve. Ne mundemi, duhet dhe do ta mundim Edi Ramën dhe besoj ky është zotimi në çdo sallë, çdo qytet e çdo fshat.
Kjo nuk është ora e iluzioneve, është ora e vendimeve të mëdha, është ora ta themi me zë të lartë, PD duhet të hapet! Të ngrihemi në lartësinë e shqiptarëve, le ta duam më shumë Shqipërinë, t’i shërbejmë më mirë asaj, një punë të ndershme që i thërret shqiptarët të vijnë.
Unë kam një thirrje sot për të gjithë demokratët, të gjithë shqiptarët, bashkohuni me ne dhe do t’i risjellim Shqipërisë ndryshimin, fitoren e të gjithëve,” tha Salianji.
Ervin Salianji i kthen përgjigje Sali Berishës
Në një komunikim për mediat para nisjes së foltores në Durrës, Salianji tha se politikanët e Partisë Demokratike duhet të kthehen te njerëzit dhe bashkëbisedimet me ta për ta arritur hapjen dhe ripërtëritjen e partisë.
Duke komentuar deklaratat e kryetarit të partisë, Sali Berisha, sot i cili tha se çdo aktivitet jashtë forumeve është privat, Salianji tha se qëllimi i tij është interesi i demokratëve.
“Qëllimi i çdo takimi është ringritja, fuqizimi dhe zgjimi i Partisë Demokratike. I vetmi qëllim që kam unë dhe që e kam treguar është interesi publik, por sidomos interesi opozitar i PD-së”, tha Salianji.
Por çfarë deklaroi sot Sali Berisha?
Duke komentuar pikërisht foltoret e nisura nga demokrati Salianji, Berisha e cilësoi si një lëvizje personale të tij. Sipas tij, PD-ja ka nisur debatin e hapur.
“Çdo person, që për qëllime personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk ka lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë. Listat në PD nuk ishin më të mirat dhe ky sistem ka ardhur nga Edi Rama më 2021. Çdokush bën zgjedhjen e vet”, u shpreh Berisha.
Ervin Salianji nisi takimet më 29 nëntor. Një foto e tij dhe mjekut të njohur Ilir Alimehmeti, shoqëruar edhe nga kandidatët më të votuar të PD-së në listat e hapura ngritën aludime të forta se në “PD po lind një lëvizje e re për riformatimin e saj”.
Ndërkohë Partia Demokratike ka nisur turin e foltoreve krahas “parlamentit” që zhvillon çdo javë para kryeministrisë.







