Në Durrës, pjesë e takimit të organizuar nga Salianji ditën e djeshme, ndër ish-deputetë e antarë të PD, ka qënë edhe ish-kryetari i degës së Kavajës, Hysen Kadiu.
Kadiu u rendit më i votuari në procesin e primareve të Partisë Demokratike për Tiranën me 913 vota, në fillim të këtij viti, por u tërhoq nga kandidimi pasi emri i tij nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve, ndryshe nga sa ishte rënë dakord me Berishën.
Me sa duket pas kësaj “tradhtëtie” që iu bë nga PD ai ka “gjetur mbështetje” të Salianji, pasi ishte pjesë e mbledhjes së organizuar në Durrës.
Në një status në “Facebook” ai ka shkruar se e vërteta e hidhur nuk mund të mbulohet me thirrjet entuziaste të atyre që fshehin problemet pas posteve të dhuruara.
Të vërtetat, edhe kur dhembin, duhen thënë. Përndryshe, gabimet përsëriten dhe asnjë qëllim i mirë nuk arrihet dot. Ky ishte edhe qëllimi i takimit të sotëm në Durrës, ku së bashku me miq e shokë demokratë ndamë mendime e ide për të bërë më të mirën për PD-në.
E vërteta e hidhur nuk mund të mbulohet me thirrjet entuziaste të atyre që fshehin problemet pas posteve të dhuruara. PD ka nevojë për ndryshim, për freskim, për frymëmarrje. Ashtu si ka nevojë për Sali Berishën dhe kontributin e tij të padiskutueshëm në partinë tonë.
Vetëm duke folur hapur, duke diskutuar dhe duke gjetur rrugët për t’u reformuar do të mund të përcaktojmë kthesën që na duhet për të mundur Edi Ramën dhe PS-në.
Kjo është mundësia jonë për të sfiduar dhe për të fituar mbi regjimin e Edi Ramës.







