Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, 4 dhjetor 2025, në orën 10:00, seancën plenare. Pritet diskutimi i një sërë çështjesh ndërsa në rend dite janë 20 pika, nga ratifikimet ndërkombëtare, ndryshime ligjore e deri te vendime të rëndësishme në institucionet mbikëqyrëse
Fillimisht pritet miratimi i procesverbalit të seancës së 2 dhjetorit 2025. Më pas, do të shqyrtohet raporti vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2024.
Projektligjet kryesore në rend dite
Denoncimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me fondacionin “Hanns-Seidel”, të ratifikuar në vitin 2007.
Aderimi në Traktatin e Marrakeshit, që lehtëson aksesin në veprat e botuara për personat e verbër apo me vështirësi në lexim.
Pranimi i ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, në lidhje me krimin e agresionit.
Aderimi në Memorandumin e Mirëkuptimit për kontrollin portual në Rajonin e Mesdheut.
Ratifikimi i marrëveshjes së grantit me BEI për projektin hekurudhor të Korridorit VIII, faza I.
Ratifikimi i kontratës financiare me BEI për të njëjtin projekt hekurudhor.
Ratifikimi i marrëveshjes së huas me BERZH për projektin “Korridori hekurudhor VIII, faza I – seksioni Durrës–Rrogozhinë”.
Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë me BERZH për KESH-in, lidhur me projektin solar fotovoltaik.
Pritet t’u jepet drita jeshile edhe projektligjeve të tjera, që nga ai “Për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve” për produktet që gjenerojnë mbetje e deri te ndryshimet ligjore në ligjin “Për Avokatin e Popullit”.
Në Kuvend, parashikohen edhe disa emërime institucionale këtë të enjte.
– Emërimi i anëtarit të ri të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të mbajë postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
– Zgjedhja e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
– Ngritja e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, brenda Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.







