Fondet për arsimin do të vijnë në ulje si në raport me PBB-në, ashtu edhe me shpenzimet buxhetore, sipas parashikimeve në buxhetin afatmesëm 2026-2028.
Shqipëria alokon pak fonde për arsimin. Sipas INSTAT, shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin vetëm 2,9% e PBB-së, ndërsa këtë vit pritet të arrijnë në 2.4% të PBB dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% të PBB-së.
Kjo tregon se teksa ekonomia rritet, ndahen më pak fonde për arsimin. E njëjta praktikë po ndodh edhe me shëndetësinë.
Fondet për arsimin ulen jo vetëm në raport me PBB-në, por edhe me shpenzimet totale buxhetore. Këtë vit buxheti i arsimit është sa 7.5% e totalit të buxhetit, teksa në 2028 nuk do të jetë më shumë se 7%.
Në Ballkanin Perëndimor, mesatarja e shpenzimeve për arsim në vendet e rajonit lëviz afër 3,9% të PBB-së, që tregon se Shqipëria mbetet poshtë nivelit të fqinjëve të saj.
Nga ana tjetër vendi ka mungesë të theksuar të infrastrukturës në shkolla me ndërtesa të amortizuara, mungesë infrastrukture teknologjike, dhe vështirësi në ofrimin e një mësimdhënie cilësore.
Gjithashtu ka ndarja e fondeve brenda niveleve arsimore mbetet difektoze. Shpenzimet për arsimin fillor janë relativisht rreth 1,8% e PBB-së), teksa buxheti është i ulët për arsimin e mesëm me rreth 0,4% e PBB-së, krahasuar me mesataren prej 2,0% në vendet e BE‑së.
Në një kohë që Bashkimi Europian dhe vendet e rajonit i kushtojnë arsimit më shumë fonde nga ekonomia e tyre, Shqipëria po mbetet pas dhe po thellon më tej hendekun.
Ulja e fondeve do të pengojë rritjen e cilësisë së mësimit, përmirësimin e infrastrukturës, dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. / B.Hoxha








