Përpara shortit të Kupës së Botës 2026, miqësia midis Infantinos dhe Trump po ringre pyetje rreth ndikimit të politikës në FIFA. Çmimi i ri i Paqes i FIFA-s thellon dyshimet.
Sytë e botës politike kanë qenë të drejtuar nga Uashingtoni gjatë gjithë vitit 2025, e të premten (05.12.) atyre do t’u bashkohen sytë e botës së futbollit – për shkak të shortit për Kupën e Botës 2026.
Gianni Infantino, President i Federatës Botërore të Futbollit, do të jetë “udhëheqësi”. Por edhe njeriu më i fuqishëm në sportin më të popullarizuar në planet ka të ngjarë të lihet në hije nga miku i tij, Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
“Jam shumë me fat. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Presidentin Trump, të cilin e konsideroj vërtet një mik të ngushtë”, tha Infantino së fundmi për miqësinë, e cila përfshinte një pozë të kohëve të fundit me Cristiano Ronaldon.
“Sigurisht, ai ka qenë shumë i dobishëm në gjithçka që po bëjmë për Kupëne Botës”, shtoi Infantino, duke iu referuar Trumpit. “Ai ka një energji të jashtëzakonshme dhe e vlerësoj shumë këtë. Ai punon. Dhe bën atë që thotë. Ai thotë atë që mendon. Ai në të vërtetë thotë atë që shumë njerëz mendojnë, por ndoshta nuk guxojnë ta thonë.”
Duke pasur parasysh se SHBA-të do të mirëpresin shumicën e lojërave në vitin 2026, ndërsa një numër më i vogël do të luhen në Kanada dhe Meksikë, një marrëdhënie e ngushtë biznesi midis të dyjave mund të konsiderohet normale, tha për DW ish-atletja gjermane Silvia Schenk.

“Gjithçka varet nga rrethanat”, tha Schenk, një ish-anëtar i Komitetit Këshillimor të të Drejtave të Njeriut të FIFA-s dhe tani arbitër në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS).
“Nëse Kupa e Botës nuk do të mbahej në SHBA, Trump nuk do të kishte fare të bënte me Infantinon. Ky është fillimi i gjithçkaje. Dhe anasjelltas. Infantino duhet të organizojë një kampionat të mirë vitin e ardhshëm, dhe për ta bërë këtë ai ka nevojë për bashkëpunim funksional me Trump”, tha Schenk për DW.
Gjetja e një ekuilibri me Trump është një sfidë për shumicën e udhëheqësve botërorë, kështu që Infantino duhet të ecë me kujdes. Megjithatë, ajo beson se ata të dy kanë ngjashmëri.
“Të dy janë mendjemëdhenj, të dy duan të mburren dhe të dy kanë ego shumë, shumë, shumë të mëdha”, thotë Schenk, i cila kaloi shumë kohë me Infantinon në kohën kur punonte për FIFA-n. Ajo shtoi se vëren gjithnjë e më pak interes për çështjet e të drejtave të njeriut sa më gjatë që ai është në detyrë.
Pa politikë, por me Çmimin e Paqes
FIFA nën Infantinon thekson vazhdimisht neutralitetin politik: mungesa e supozuar e ndërhyrjes politike, standarde të caktuara të të drejtave të njeriut në shtetet anëtare dhe ndalimi i gjesteve politike nga lojtarët dhe trajnerët.

Edhe pse Infantino është i detyruar të bashkëpunojë me Trumpin, pjesëmarrja e tij në bisedimet e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, ku ai u shfaq së bashku me Presidentin e SHBA-së, ishte vetëm paraqitja e fundit në një varg paraqitjesh të papritura politike.
E njëjta gjë vlen edhe për vendimin e tij për të prezantuar Çmimin e Paqes të FIFA-s, i cili do të jepet të premten, vetëm pak kilometra larg Shtëpisë së Bardhë. Edhe pse fituesi nuk është shpallur ende, nuk është e vështirë të supozohet se çmimi mund t’i shkojë Trumpit.
Dy muaj më parë, Çmimi Nobel për Paqen, për të cilin shpresonte Trump, iu dha aktivistes së opozitës venezueliane Maria Corina Machado – pak para se FIFA të zbulonte Çmimin e saj të Paqes.
“Pyetja është nëse Infantino po e ekzagjeron. Unë mendoj se Çmimi i Paqes do të ishte një ekzagjerim”, thotë Schenk.
Balancimi i Infantinos
Trump ka marrë numër vendimesh politike që do të ndikojnë në turne. Shoqata Iraniane e Futbollit njoftoi se nuk do të dërgojë një delegacion në short sepse nuk ka garanci për viza. Irani është në listën e ndalimit të udhëtimit të futur nga Trumpi, e cila përfshin edhe Haitin, i cili gjithashtu u kualifikua. Ekzistojnë përjashtime për atletët dhe anëtarët individualë të stafeve profesionale, por jo për të gjithë. Tifozët nga vendet në listë nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë në SHBA.
“Herën e fundit që Presidenti i FIFA-s ishte i pranishëm në dhomën e zhveshjes së ekipit tonë kombëtar ishte finalja e Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC) 2025 kundër Uzbekistanit, kur ai njoftoi lojtarët iranianë se prania e delegacionit iranian do të garantohej që nga fillimi i ceremonisë së shortit deri në ditën e fundit të pjesëmarrjes së ekipit kombëtar në Kupën e Botës”, tha zëdhënësi i Federatës Amir Mehdi Alavi për gazetën iraniane Tarafdari.
Mosmarrëveshje të tilla mund të tendosin marrëdhënien delikate të Infantinos me Trump – si dhe kërcënimin e Presidentit në nëntor, kur ai përsëri hodhi idenë e zhvendosjes së ndeshjeve jashtë qyteteve të kontrolluara nga demokratët. “Nëse gjykojmë se ekziston rreziku i ndonjë problemi, do t’i kërkoja (Infantinos) ta zhvendosë ndeshjen në një qytet tjetër”, tha Trump.
Schenk beson se situata të tilla mund ta detyrojnë Infantinon t’i kundërvihet Trumpit, megjithëse kjo nuk është e sigurt.

“Nëse Trump një ditë – pas katër javësh, në shkurt ose kurdoherë që të jetë – thotë: ‘Po i zhvendosim ndeshjet nga Los Angeles në një qytet tjetër’, do të jetë shumë, shumë e vështirë për FIFA-n të thotë: ‘Nuk e pranojmë vlerësimin e rrezikut të qeverisë amerikane, mendojmë se është e sigurt dhe po qëndrojmë’. Kjo është e rrezikshme.”
Nëse miqësia e Trumpit dhe Infantinos është e vërtetë apo vetëm një aleancë për interes propagandues – do të bëhet edhe më e qartë në gjashtë muajt e ardhshëm, derisa turneu të hapet në Mexico City më 11 qershor. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pa dyshim do të përballet me teste të ngjashme kur Lojërat Olimpike të vijnë në Los Angeles në vitin 2028./DW







