Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka lënë në fuqi tarifën e re për karikimin e automjeteve elektrike, duke rrëzuar kërkesën e shoqatave të taksive për rishikim të çmimit. Bordi i ERE-s, me vendimin nr. 295, ka lënë në fuqi çmimin prej 22 lekë/kWh për pikat e karikimit me fuqi mbi 11 kW, një kosto që shoferët e taksive e kanë cilësuar si të papërballueshme.
Pas vendimit të datës 15 tetor 2025, që rriti çmimin e karikimit, Shoqata “Taksitë e Klasit të Parë” dhe Sindikata Shqiptare e Taksive iu drejtuan zyrtarisht institucionit me kërkesën për pezullimin e kësaj tarife.
Ata argumentuan se sektori i tyre ofron një shërbim publik me ndikim pozitiv në mjedis dhe se çmimi i ri rrezikon t’i çojë drejt falimentimit, duke e kthyer “investimin ekologjik në një barrë ekonomike”.
Taksistët kërkuan një tarifë preferenciale energjie për mjetet e tyre, heqjen e TVSH-së për shërbimin dhe skema subvencioni për të shmangur krizën financiare.
Në vendimin e zbardhur, Bordi i ERE-s sqaron se kërkesa e grupeve të interesit nuk plotëson kriteret ligjore për rishikim. Sipas Entit Rregullator, rishikimi i një vendimi mund të bëhet vetëm nëse paraqiten prova të reja apo gabime materiale, të cilat nuk ishin të njohura në momentin e marrjes së vendimit.
ERE thekson se argumentet e paraqitura nga taksitë ishin thjesht “analiza të ndikimit ekonomik mbi modelin e tyre të biznesit” dhe jo prova që tregojnë se llogaritja e kostos së energjisë ishte e gabuar.
“Çmimi i miratuar reflekton kostot e shërbimit dhe të disbalancave të shkaktuara në sistem. Kërkesa nuk provon se parimet ligjore janë shkelur,”, citohet në vendim.
ERE nënvizon gjithashtu parimin e shmangies së ndërsubvencionimit, duke theksuar se kostot e taksive nuk mund të mbulohen nga konsumatorët e tjerë.
Me këtë vendim, tarifa prej 22 lekë/kWh (plus tarifën e diferencuar në orarin e pikut) mbetet në fuqi dhe e zbatueshme.







