Një incident i frikshëm ka ndodhur këtë të dielë, më 7 dhjetor, në aeroportin Sabiha Gökçen të Stambollit, ku një avion i kompanisë AJet, i nisur nga Prishtina, ka dalë nga pista.
Ambasada e Kosovës në Turqi ka konfirmuar se të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt dhe nuk ka raportime për persona të lënduar. Udhëtarët janë larguar nga aeroporti drejt destinacioneve të tyre pa ndonjë problem.
Sipas njoftimit të Ambasadës, avioni që realizoi fluturimin Prishtinë–Stamboll, me numër TKJ76Q / VF102, pas prekjes së pistës ka devijuar nga rruga dhe është ndalur në skajin e pistës. Pasagjerët u evakuuan përmes shkallëve të jashtme, pa përdorur rrëshqitësit emergjentë.
Si pasojë e këtij incidenti, disa avionë të tjerë u detyruan të kryejnë lëvizje rrethore, ndërsa autoritetet e aeroportit kanë njoftuar se pista do të mbetet e mbyllur deri në përfundimin e operacionit për largimin e avionit nga zona.
Ambasada e Kosovës në Turqi ka vënë në dispozicion kontaktet për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë. Ndërkohë, ekipet e aeroportit vazhdojnë punën për ta siguruar largimin e avionit në mënyrë të sigurt dhe për të rifilluar fluturimet normale.








