HomeKultureIN MEMORIAM-Trashëgimia  studimore-shkencore dhe publicistike e promovuese e Fatos Dacit/nga Halil Rama

IN MEMORIAM-Trashëgimia  studimore-shkencore dhe publicistike e promovuese e Fatos Dacit/nga Halil Rama

Advertismentspot_img

NDAHET NGA JETA AUTORI I 6O VEPRAVE STUDIMORE SHKENCORE DHE DISA DOKUMENTARËVE TELEVIZIV

Halil RAMA –

  • Libri më i fundit i Fatos Dacit “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër”, me fakte, argumente shkencore, referenca nga autorë vendas e të huaj, është një kontribut i veçantë në historinë skënderbegiane

Me mbi 60 libra të botuar në harkun kohor të tri dekadave, disa prej të cilave vepra studimore-shkencore që hedhin dritë mbi historinë e Dibrës dhe vendorigjinën dibrane të Skënderbeut, Fatos Daci padyshim ishte dhe mbetet një prej autorëve më produktivë e cilësorë të këtij çerekshekulli.

Ai u nda nga jeta të dielën e 7 dhjetorit 2025, duke lënë në fondin e artë të librit shqip një trashëgimi mjaftë të pasur letrare, publicistike, studimore e shkencore. Krijimtaria e tij rrok një larmi temash, ku dominon historia…Historia, e shkruar me vërtetësi, bazuar në të dhëna arkivore, në një biblografi tejet të pasur si dhe në dëshmi gojore nga personazhe realë bindës.

Mbi këtë bazë e ka shkruar ai veprën monumentale “DIBRA-HISTORIA E PLOTË”, ashtu siç ka shkruar edhe veprat tjera: “Enciklopedia e Dibrës”, “Penat e Dibrës”, “Nga lashtësia deri në vitin 1940”, “Skënderbeu i vërtetë”, “Të vërtetat për Skënderbeun”, “Kastriotët e Çidhnës së Dibrës”, “Peshkopia”, “Çidhna dhe Kastriotët”, “Sllova përgjatë një shekulli”, “Histori e shkruar me pushkë e penë” , “Vendlindja ime (Dibra e Bulqiza), “Gryka e Vogël”, “Radomira”, “Shqiponjat e kreshtave të Veriut”, “Të pavdekshmit”, “Burrat e Kullës së Canit, “Kukësi”-Enciklopedi”, si dhe disa monografi për patriotë të Dibrës e Kukësit.

Krenar, si rrallëkush për historinë e lavdishme të Dibrës, Fatos Daci shkroi me kurajo e vërtetësi veprën e tij madhore “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës”, bazuar kjo në kontributin e shquar të personaliteve dibrane që nga epoka e lavdishme skënderbegiane e deri tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Dhe po si rrallëkush, Fatos Daci ka dhënë një kontribut të veçantë në pasurimin e letërsisë sonë dokumentare. Këtë e dëshmojnë botimet e tij: “Historia arsimit shqip në Dibër”, “Historia e mjekësisë dibrane”, “Historia e kulturës dibrane”, “Antologjia e poezisë dibrane” (në dy vëllime) “Dibra 07” – antologji”, ”Shqiponja fluturoi nga foleja”, “Një shekull poezi dibrane”, “Histori e shkruar me pushkë e penë”, si dhe ”Në Amerikë flakëron atdhetaria dibrane”.

Një ndër gjinitë më të lëvruara, ku spikat stili i tij origjinal është monografia. Janë dhjetra monografi të këtij autori kushtuar figurava të ndritura të Dibrës, luftëtarë e patriotë të mëdhenj, artistë e mësues, ndër të cilat mund të përmendim ato me titull: “Lirie Rasha – identiteti i vlerave”, “Burri i madh i Bulqizës”, “Mehmet Duriçi”, “Krushqit elirisë”, “Mahmut Daci, princi i trimërisë”, “Rrahman Doda i Reçit”, “Met Kaca dhe pasardhësit”, “Hysen Bara, pari e Dibrës”, “Pilket e Dibrës”, “Estref Gjoshi…”, “Dodajt e mëdhenj të Dibrës”, “Pasardhës të Dodajve të mëdhenj”, “Njeriu që di të bëjë gjera të mira”, “Miftar Fana, Nderi i Kombit”, “Rrahman Rasha” etj. Përveçse pasurimit të mendimit estetik nga vepra në vepër, F.Daci nuk la pas dore edhe promovimin e vlerave më të mira të Dibrës e të gjithë Shqipërisë. Këtë e ka bërë më së miri në botimet e tij: “Pena e Dibrës”, “Vendi i artistëve” , “Shpërthime rinore”, etj.

Po në këtë këndvështrim duhet parë edhe kontributi i këtij autori në fushën e së drejtës, i reflektuar më së miri në librin e tij “Trajtime juridike”.
Gjatë një studimi për veçoritë e LANÇ në Dibër, kolegu dhe bashkëautori im në disa botime, Sakip Cami, më tha para disa ditësh se nga shfletimi i arkivës së gazetës “Ushtima e Maleve” të 30 viteve (1970-1990) kishte evidentuar Fatos Dacin si autorin me më shumë artikuj publicistikë, si reportazhe, skica, esse, fejtone.

Veprimtarinë e tij publicistike Fatos Daci, jo vetëm që nuk e ndërpreu në vitet ‘90, por e pasuroi dhe çoi edhe më tej gjatë këtij çerekshekulli, kur nga viti 1998 boton gazetën e pavarur “Dibra”, e cila nga numri i parë e deri më sot (edhe në versionin online) në qendër ka pasur Dibrën, dibranët dhe historinë e lavdishme, të djeshme e të sotme, të tyre. Ndërkohë, si kryeradektor ka drejtuar edhe gazetat “Zëri i Lirë” dhe “Trojet shqiptare”.

KONTRIBUT REAL NË HISTORINË SKËNDERBEGIANE

Libri më i fundit i Fatos Dacit “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër”, me fakte, argumente shkencore, referenca nga autorë vendas e të huaj, është një kontribut i veçantë në historinë skënderbegiane. Për herë të parë ai sjell në shqip një dokumentar të Institutit të Studimeve Ushtarake të Turqisë (Milli Savunma Universitesi-Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare) të Turqisë ku saktë dhe qartë thuhet: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu u lind më 1405, në fshatin Sinë të Dibrës (Kjo shqiptohet qartë në dy fjalitë e para të dokumentarit në fjalë)”.

Duke e publikuar këtë të vërtetë në librin e tij voluminoz me 497 faqe, studiuesi Fatos Daci – Mjeshtër i Madh, shprehet entuziast për faktin se: “Për herë të parë, Turqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës! Dhe kur vulos Turqia, ish-superfuqia e kohës, nuk ka më fjalë. Shqip: Skënderbeu ishte dibran. Pra, ishte shqiptar!”

Po në këtë libër (fq.59) studiuesi Daci sjell referenca nga Akademia e Shkencave të RSH, konkretisht nga Sesioni Shkencor rreth origjinës dhe prejardhjes së Kastriotëve mbajtur në Peshkopi më 2 Nëntor 1985 me rastin e 580-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Skënderbeut dhe inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Dibrës.

Dhe nëse Prof. Sterfanaq Pollo ka deklaruar në fjalën e tij përmbyllëse të këtij sesioni shkencor se: “Tani mund të themi se origjina e Kastriotëve është Çidhna, është Sina”, Fatos Daci argumenton, se “Ky dokumentar i tanishëm, i serialit turk ‘Jetë luftëtarësh’, i dha publikisht të drejtë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të saj të Historisë për ngritjen në Sinë, në nëntor 1985, të Muzeut të vetëm të Kastriotëve”. Autori i librit mjaftë voluminoz “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër”, me të drejtë ndjehej mirë me këtë konkluzion të pritshëm të shkencës ushtarake turke, për faktin se me argumentet e tij, për gjatë 20 vjetëve, në katër libra që ka shkruar e botuar për Skënderbeun, në qindra artikuj që ka botuar në organe të ndryshme të shtypit ditor dhe atij periodik, në dhjetëra intervista televizive dhe në dhjetëra veprimtari publike që ka zhvilluar në institucionet publike të Tiranës, në Peshkopi a në Dibër të Madhe, ka thënë e shkruar, ka këmbëngulur vazhdimisht me zë të lartë se, për një mijë arsye, Skënderbeu është dibran dhe ka lindur në Dibër, në krahinën e Çidhnës.

KA REALIZUAR DISA DOKUMENTARË TELEVIZIV

Me profesionalizëm dhe talent të rrallë Fatos Daci ka realizuar disa dokumentarë televiziv. Në memorien e bashkëkohësve janë të freskët dokumentarët e realizuar prej tij me titujt: “Origjina e vërtetë e Ataturkut”, “Kuvndet e Dardhës së Dibrës”, “70 vjet shkollë pedagogjike”, “Sllova mes heroizmit dhe ndryshimit”, Didajt e mëdenj të Reçit të Dibrës”, “Kalisi përkujton dëshmorët”, “Kalisi në festë”,  “Mahmut Daci” etj,(të shfaqura në ekranet e televioneve kryesore publike shqiptare). Po ashtu ka spikatur në intervistat e emisionet televizive e radiofonike, duke promovuarvlerat atdhetare, patriotike, kulturore, krijuese e historike të Dibrëd dhe dibranëve.

Kësisoj, i lindur në Dacallarë të Sllovës, Fatos Daci ia kushtoi jetën dijes, shkrimit dhe dokumentimit historik të trojeve shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të pazëvendësueshme.

Në një krijimtari mbi pesëdekadëshe, ai botoi më shumë se 60 vepra historiko-enciklopedike me mbi 15 mijë faqe, duke dokumentuar figura, ngjarje, tradita dhe dëshmi historike të Dibrës dhe mbarë shqiptarisë.

Veprat e tij shoqërohen me mijëra fotografi të rralla, portrete e dokumente, që sot përbëjnë një pasuri të rrallë kombëtare.

Fatos Daci ishte, Anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar i Unionit të shkrimtarëve dhe artistëve dibranë dhe i disa shoqatave kulturore e atdhetare, Fatos Daci mbetet një prej personaliteteve më prodhimtare të letrave shqipe.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai u nderua me tituj të shumtë, mes tyre “Mjeshtër i Madh”, si dhe u shpall disa herë “Qytetar Nderi” nga Bashkia Peshkopi, Komuna Dibër e Madhe, Maqedoni dhe disa komuna të Dibrës.

Siç shkruan djali i tij Jordani, një prej emrave më të spikatur të drejtësisë shqiptare:  “Fatos Daci largohet nga jeta, por jo nga kujtesa jonë, ai lë pas një pasuri të pamatë shpirtërore e dokumentare, që do t’i shërbejë brezave përjetësisht”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular