Kriza e tejzgjatur politike që ka përfshirë Kosovën po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin ekonomik dhe atë të politikës së jashtme, por edhe në drejtim të mirëqënies direkte të qytetarëve.
Sindikata e Pavarur e Administratës thotë se mungesa e institucioneve legjitime ka bërë që pagat e punonjësve të administratës të mbeten të pandryshuara.
“Problemet janë të shumta. Të them të drejtën, ky vit që jemi duke e lënë është një vit që lë për të dëshiruar, duke marrë parasysh që nuk kanë avancuar të drejtat e punëtorëve. Absolutisht, do të thotë me pagat që mezi ia dalin shërbyesit civil në fund të muajit, dhe rrjedhimisht nuk kemi as sot Këshill Ekonomiko-Social, një institucion shumë i rëndësishëm”, tha Ali Gashi, kreu i SPA.
Ai ka shtuar se largimet nga administrata publike janë bërë trend, edhe për shkak të pagave të ulëta dhe konkurrencës më të lartë nga sektori privat.
“Secili shikon të punojë dhe të angazhohet për një pagë të mirë për një mirëqenie sociale”, tha Gashi.
Ndaj ai i bën thirrje politikës që të ngrihet mbi interesat e ditës dhe të mendojë për interesat e qytetarëve.
“Këto parti, pas zgjedhjeve, të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të formojnë në kohë rekord institucionet”, tha ai.







