Ndërtimi i bypass-it të Tiranës po avancon me shpronësimet e pronarëve që preken nga ky projekt. Agjencia Shtetërore e Shpronësimit ka shpallur kërkesën për shpronësimin, për interes publik, të 202 pasurive që preken nga ndërtimi i segmentit Kashar–Vaqarr, pjesë e bypass-it të Tiranës. Vlera totale paraprake e shpronësimit llogaritet në 126.2 mln lekë.
Ky proces i hap rrugën realizimit të dy loteve të segmentit Kashar–Vaqarr, që përbëjnë 8.5 kilometra të bypass-it të Tiranës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar nënshkroi kontratat për të dy lotet në shtator të këtij viti.
Për lotin I kontrata është firmosur me kompaninë “4 A-M” dhe ka një vlerë prej 3.15 mld lekësh. Ndërsa, për lotin II kontrata është nënshkruar me bashkimin e operatorëve “Elmazaj Konstruksion” & “INC S.p.A.”, me një vlerë prej 2.73 miliardë lekësh. Së bashku, dy lotet arrijnë një kosto totale prej rreth 5.9 miliardë lekësh, me TVSH.
Segmenti Kashar–Vaqarr është pjesë kyçe e bypass-it të Tiranës, i cili ka një gjatësi totale prej 21.6 km dhe synon të devijojë trafikun tranzit jashtë kryeqytetit, duke lidhur autostradën Durrës–Tiranë me atë Tiranë–Elbasan.
Përveç rëndësisë për lëvizjen, projekti pritet të sjellë ndikime pozitive mjedisore dhe urbane: reduktimin e ndotjes së ajrit, uljen e trafikut në arteriet kryesore të Tiranës dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Për këtë projekt, për vitin 2026, në buxhet është parashikuar një financim prej gati 2.2 mld lekë, ndërsa është përfshirë si zë buxhetor për herë të parë edhe loti III, teksa nisja e financimit parashikohet në vitin 2027.







