Mes tyre kishte tablo të shkollës flamande, dizenjo të Picassos, një skulpturë të Rodinit dhe një vepër të atribuuar, Modiglianit
Në vilën madhështore të Lesa-s pranë Liqenit Maggiore, miliarderi ekscentrik gjerman Gunther Hans Ludwig Kiss ruante në mënyrë ilegale rreth 300 vepra arti me vlerë qindra miliona euro.
Mes tyre kishte tablo të shkollës flamande, dizenjo të Picassos, një skulpturë të Rodinit dhe një vepër të atribuuar, Modiglianit.
Kiss, i ndarë nga jeta në vitin 2023 së bashku me bashkëshorten, i kishte transferuar padrejtësisht shumë prej këtyre veprave nga Spanja në Itali. Ministria e Kulturës spanjolle kishte refuzuar lejen e eksportit, por çifti kishte përdorur një korrier privat për t’i transportuar fshehurazi.
Hetimi i karabinierëve të Torinos zbuloi 65 vepra të eksportuara ilegalisht, 50 prej të cilave u gjetën në vilën e Lesa-s. Një pjesë tjetër u lokalizua në galeri arti në Milano, Xhenova dhe në shtëpi koleksionistësh.
Një nga veprat që do të kthehet në Spanjë është një retablo i shekullit XVI me vlerë 350 mijë euro. Ky objekt u sekuestrua kur hetuesit hynë në rezidencë, duke u shtirur si kontrollorë armësh.
Në vilë kanë mbetur rreth 200 vepra të tjera, të cilat janë objekt i një beteje gjyqësore për trashëgiminë. Për kreditorët, përfshirë një kompani energjetike gjermane dhe ish–punonjësit e çiftit, fati i këtyre veprave mbetet thelbësor.







