Presidenti Begaj: Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane!
Sot Shqipëria përkujton Ditën Kombëtare të Rinisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë së vendit, që shënon 35 vjet nga fillimi i lëvizjes studentore të vitit 1990, protestat paqësore që i dhanë fund regjimit komunist dhe hapën rrugën drejt demokracisë.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës ndërmorën veprimin vendimtar, duke u bërë protagonistë të protestave që ndryshuan historinë e Shqipërisë. Ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhët e tyre qytetarë të shumtë, dhe me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës.
Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur në një takim me Ramiz Alinë u konfirmua zyrtarisht pluralizmi politik, duke hapur rrugën për themelimin e Partisë Demokratike dhe instalimin e sistemit demokratik në vend. Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 mbetet e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi rrënjësisht historinë e Shqipërisë.
Sot, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare që prej vitit 2009, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, në nderim të guximit, sakrificës dhe vendosmërisë së studentëve dhe gjithë rinisë shqiptare, e cila u bë zëri kryesor i ndryshimit historik.
Dita Kombëtare e Rinisë mbetet një moment reflektimi mbi rolin vendimtar të rinisë në ndërtimin e një Shqipërie të lirë dhe europiane.
Mesazhe urimi nga politika
Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar sakrificën dhe guximin e të rinjve që i hapën rrugën Shqipërisë drejt demokracisë dhe integrimit europian.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, presidenti Begaj thekson se aspirata europiane e shqiptarëve mbetet e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë, që frymëzuan lëvizjen studentore të Dhjetorit ’90. Sipas tij, çdo hap drejt përparimit dhe integrimit europian është një nderim i guximit dhe vizionit të rinisë që përballoi kufizimet dhe pengesat e një epoke të vështirë.
“Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane.
Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”, shkruan Begaj.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjithashtu ka dhënë një mesazh me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë.
Ajo shkruan se 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale.
Duke kujtuar gjithashtu thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ministrja Spiropali shkruan se kjo moto “ishte esenca e vet historisë shqiptare, në kontradiktën më të thellë e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit europian, por njëkohësisht e ndarë gjatë e dhunshëm prej kësaj përkatësie”.
“Sot ecim më shpejt e më të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE, ku të rinjtë e Shqipërisë kërkohet më shumë se kurrë të jenë pjesëmarrës, këmbëngulës, kontribues për Shqipërinë demokratike, meritokratike, të hapur, konkurruese, inovative, me drejtësi e mundësi për të gjithë”, shton Spiropali.
Ky përvjetor rikujton rolin historik të studentëve në rrëzimin e regjimit të mbyllur dhe hapjen e Shqipërisë ndaj botës, duke vënë themelet e një shoqërie demokratike dhe pjesëmarrëse në rrugëtimin europian.







