Më 17 dhjetor në Bruksel do të zhvillohet Samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor, ku udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen me homologët e tyre nga rajoni për të diskutuar hapat e ardhshëm të integrimit evropian.
Në qendër të këtij samiti do të jetë Paketa e Zgjerimit 2025, në të cilën Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen vendet më përpara në procesin e anëtarësimit në BE. Të dyja vendet janë vlerësuar pozitivisht për ritmin e reformave dhe harmonizimin me standardet evropiane.
Një tjetër temë kyçe do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i vlerësuar në Bruksel si një ndër instrumentet më efikase për afrimin e rajonit me BE-në, duke ndikuar si në zhvillimin ekonomik ashtu edhe në thellimin e reformave strukturore.
Kosova pritet të jetë një nga temat e diskutimeve dypalëshe, pasi vendi po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme më 28 dhjetor, në një moment tensioni politik të brendshëm dhe nën masat ndëshkuese të BE-së për shkak të krizës në veri.
Samiti i Brukselit pritet të japë sinjale të qarta për të ardhmen e zgjerimit, ndërsa BE-ja synon të forcojë ndikimin e saj në rajon në një kontekst të ri gjeopolitik.







