“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë”
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë në një deklaratë zyrtare pas komenteve të kryeministrit Edi Rama në lidhje me pezullimin e zv/kryeministre.
“Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor”, thuhet në reagimin e saj.
Shoqata thekson se nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor fshihet në të vërtetë një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë. Sipas shoqatës, mesazhe të tilla synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor.
“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit”, thuhet në reagim.
Shoqata thekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës.
“Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë”, deklaroi Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Më tej, theksohet se gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Sipas shoqatës, qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i shumicës së publikut, por zbatimi i vullnetit të sovranit i shprehur në këto akte. Në fund shoqata fton zyrtarët e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv që të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohen nga sjelljet që e cënojnë atë.
“Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit”, deklaroi Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, kryetar i së cilës është gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Engert Pëllumbi.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama pas deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, të cilët shprehën shqetësim për komentet e tij për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.
Reagimi i plote:
Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:
Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.
Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore. Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.
Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.
Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.







