Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i cilësoi “produktive” konsultimet që zhvilloi në Londër me liderët e Britanisë, Gjermanisë dhe Francës.
Ai theksoi se propozimet për paqe po finalizohen dhe do t’i dorëzohen nesër, të martën, SHBA-së. Sipas Zelensky, plani i propozuar për përfundimin e luftës në Ukrainë përfshin 20 pika dhe nuk parashikon asnjë kompromis për çështjet territoriale
“Besoj se plani do të jetë gati nesër në mbrëmje. Mendoj se do ta rishikojmë edhe një herë dhe më pas do ta dërgojmë në SHBA”, deklaroi Zelensky, i cili pas Londrës udhëtoi drejt Brukselit për bisedime me drejtuesit e NATO-s dhe BE-së. Të martën, presidenti ukrainas do të vizitojë Italinë për konsultime me kryeministren Giorgia Meloni.
Zelensky bëri të ditur gjithashtu se Ukrainës i mungojnë 800 milionë dollarë për blerjen e armëve amerikane që kishte planifikuar të siguronte këtë vit me ndihmën e aleatëve evropianë.
Ai përsëriti se vitin e ardhshëm vendi i tij do të ketë nevojë për ndihmë ushtarake me vlerë rreth 15 miliardë dollarë, në kuadër të nismës PURL (Prioritised Ukraine Requirements List), e cila i mundëson Kievit të marrë sisteme armësh amerikane të financuara nga vendet evropiane.
Së fundi, Zelensky konfirmoi raportimet për dronë të dyshimtë që iu afruan avionit që e transportonte drejt Dublinit javën e kaluar.
“Do të kryhet një hetim… Po, kishte dronë”, deklaroi ai para gazetarëve. Media irlandeze raportoi të enjten se një anije luftarake kishte zbuluar deri në pesë dronë që shkelën zonën e ndalimit të fluturimeve, duke u afruar drejt avionit që transportonte presidentin ukrainas.
Kujtojmë se kryeministri britanik priti sot në Downing Street presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz. “Ishte një takim me simbolikë të lartë dhe konsultime thelbësore”, theksojnë analistët britanikë.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit britanik, katër liderët u fokusuan te roli i bisedimeve të fundit paqeruajtëse, bazuar në planin amerikan, duke nënvizuar se zhvillimet e ditëve të fundit ndikojnë drejtpërdrejt sigurinë evropiane. Ata ranë dakord që Këshilltarët e tyre Kombëtarë të Sigurisë të vazhdojnë negociatat me intensitet në ditët në vijim.
Mesazhi qendror i takimit ishte nevoja për një “paqë të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, një paqe që, sipas deklaratës për shtyp, kërkon garanci të forta dhe të besueshme sigurie. Po ashtu, liderët theksuan se ndërsa proceset diplomatike janë në zhvillim, Evropa duhet të qëndrojë vendosmërisht në krah të Kievit. Ata vërejtën se Ukraina vazhdon të goditet nga “sulme të pandërprera” që lënë mijëra qytetarë pa energji dhe shërbime bazë.
Ndër temat e diskutimit ishte edhe progresi për shfrytëzimin e aseteve shtetërore ruse të ngrira, me synimin e financimit të rindërtimit të Ukrainës, një zgjidhje që po fiton mbështetje të gjerë mes liderëve evropianë.
Pas përfundimit të takimit, kryeministri britanik kryesoi një videokonferencë të gjerë me aleatë evropianë, me pjesëmarrjen e presidentit Zelensky. Në të morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, Finlandës, Norvegjisë, Italisë, Danimarkës, Polonisë, Suedisë, Holandës, NATO-s, si dhe një zyrtar i lartë nga Turqia, sipas njoftimit të Downing Street.
Pjesëmarrësit ranë dakord se çështja ukrainase ndodhet “në një moment kritik” dhe se kërkohet forcim i mëtejshëm i mbështetjes ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, theksuan se duhet rritur presioni ndaj Moskës për t’i dhënë fund “kësaj lufte barbare”. Të gjithë liderët u zotuan të mbeten në komunikim të ngushtë gjatë ditëve të ardhshme.







