Nga muaji i ardhshëm paga minimale pritet të bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro.
Nga muaji janar 2026, Kosova do të ketë një pagë minimale prej 425 euro bruto, duke shënuar kështu rritjen e parë të ndjeshme pas disa vitesh.
Aktualisht, paga minimale është 350 euro, ndërsa faza e dytë e vendimit parashikon që nga 1 korriku 2026 ajo të rritet më tej në 500 euro bruto.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka rikujtuar këtë vendim të Qeverisë pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se përfitues të drejtpërdrejtë do të jenë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat në vend.
“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri”, ka deklaruar Kurti.
Vendimi për rritjen e pagës minimale është marrë nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, me arsyetimin se rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni i viteve të fundit e kanë bërë të domosdoshme përshtatjen e saj me realitetin ekonomik.
Sipas ekzekutivit, rritja e pagës minimale do të ketë ndikim pozitiv në fuqinë blerëse, në standardin e jetesës së punëtorëve, si dhe në formalizimin e tregut të punës.
Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.
“Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, ka thënë Kurti.
Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro.








