Ish-presidenti Bamir Topi është paraqitur në SPAK, ku mësohet se do të dëshmojë mbi protestën e 21 janarit 2011, në të cilën u vranë katër qytetarë. Më herët, për këtë dosje kanë dëshmuar Lulzim Basha si ish-ministër i Brendshëm, Sali Berisha si ish-kryeministër, ish-drejtues të policisë, si dhe personalitete të tjera shtetërore.
Ish-presidenti Bamir Topi qëndroi për gati 90 minuta në SPAK, ku mësohet se ka dëshmuar mbi ngjarjet e 21 janarit dhe informacionet që ai ka pasur në atë kohë si kryetar i shtetit.
Pas daljes, ai ruajti sekretin hetimor, por theksoi se Prokuroria e Posaçme ka synim të qartë: të zbardhë të vërtetën.
“Dihet funksioni i Prokurorisë së Posaçme, është për të dalë te e vërteta. Hetimet janë në fazë dhe tani nuk mund të flas,” tha Topi.







