Në 100-vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut, po shpërndahen sot, 10 dhjetor 2025, medalje nderi për 22 personalitete të kombit shqiptar, që kanë shërbyer në fusha të ndryshme.
Fjalën hapëse e mbajti kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili theksoi se medaljet mbajnë emrin e heroit tonë kombëtar, që përcaktoi njëherë e mirë orientimin europian të Shqipërisë.
Sipas Ramës, Urdhri i Skënderbeut rilind sot, me dinjitetin e rifituar. Kreu i qeverisë nderoi me medalje familjen e Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut, personalitete që i vlerësoi për kontributin që kanë dhënë për atdheun.
“Medaljet mbajnë emrin e Skënderbeut, pasi ishte burri që zgjodhi rrugën e drejtë në një epokë shumë të vështirë, pagëzori i përkatësisë tonë evropiane. Sot emri i heroit tonë na mbledh sërish këtu, 100 vjet pas Urdhrit të Skënderbeut. Jemi këtu për të nderuar Urdhrin e Skënderbeut, për të nderuar ata njerëz, që vërtetë kanë merita për përparimin e kombit. Urdhri i Skënderbeut u themelua më 1925 dhe ky urdhër ishte masë graniti, që u hodh në themelet e Shqipërisë së asaj kohe, ku nderimi e bën meritën të përjetshme. Urdhri i Skënderbeu i mbijetoi kohërave të shumta të vështira, që nga mbretëria, tek diktatura e deri tek pluralizmi tepër problematik.
Në pluralizëm, edhe të vdekurit morën dekorata, që ishin zhveshur nga çdo kuptim. Kështu, medaljet humbën rëndësinë e tyre. Ne ndërmorëm një reformë të thellë për medaljet, për të vendosur Republikën në kontakt me simotrat e saj evropiane dhe duke u mbështetur në praktikat e Europës.
Sot, Urdhri i Skenderbeut nderohet aq sa e meriton. Sot dy medalje do të marrin Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku. Republika u shpreh mirënjohje të ndjerëve. Medalja tregon se respekti fitohet me kontribut dhe përgjegjësi ndaj kombit dhe jo mbi bazë të pasurisë. Urdhri i Skënderbeut rilind sot, me dinjitetin e rifituar”, deklaroi Rama.
Begaj: Duhet qasje e re për nderimin publik
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, tha se dita e sotme shënon një “përvjetor që prek një shekull histori”.
Ai theksoi se “për herë të parë, tre udhrat kombëtarë do të dorëzohen sipas sistemit të ri”. Urdhra që sipas tij, përfaqësojnë tre shtyllat e identitetit tonë kombëtar, flamurin, vyrtytin dhe dijen.
“Ne kemi detyrimin që t’i gjejmë njerëzit, t’i shohim, që të mos presim që meritat të vetëshpallen. Kush njeh një vepër a një kontribut ka përgjegjësinë ta sjellë në vëmendje. Ata nuk kërkojnë nderim, por e meritojnë atë, pikërisht për këtë duhet një qasje e re”, tha Begaj, duke shtuar se dhënia e medaljeve është një rit që tregon se nderimi publik është mirënjohje shpirtërore dhe vlerësimit të meritës.
Vetëm kështu, tha ai, dekoratat do të fitojnë peshën e duhur. Preku edhe temën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke thënë se Shqipëria ka njerëz që shërbejnë si frymëzim për brezat e ardhshëm.
“Sot nderojnë individë që nuk kanë kërkuar duartrokitje, por kanë merituar respektin e një kombi. Faleminderit për sakrificat, çdo emër që thirret sot është një histori më vete. Janë këta njerëz të zakonshëm që me punën e tyre bëhen shembull të një Shqipërie që ecën përpara, ku aritjet dhe merita janë busulla kryesore”, përfundoi Kreu i Shtetit.
Ka nisur dhënia e dekoratave, si më poshtë:
“Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, për ish-presidentin e vendit, Alfred Moisiu…
“Ylli i Madh” iu dha kirurgut të njohur, Besim Elezi.
“Jam i nderuar dhe vlerësuar pa masë për këtë vlerësim që më bëhet si mjek, në shërbim të popullit. Jam i gëzuar që ky Urdhër u rivitalizua nga njerëzit e mençur që drejtojnë shtetin”, u shpreh ai.
Ylli i Madh” edhe për Seit Mansakun.
“E ndjej veten të nderuar nga ky vlerësim për punën time modeste dhe që lidhet me emrin e madh të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, u shpreh gjuhëtari i njohur Mansaku.
“Oficeri i Madh” i Urdhrit Suprem të Shqiponjës për studiuesin Aurel Plasari, i cili u emocionua gjatë fjalës së tij
“Rëndësia më e madhe e mbrëmjes së sotme është 100-vjetori, shteti shqiptar ka qenë me fat t’i themelojë urdhrat e tij nën këtë urdhër. Do ju them dhe një kuriozitet, ka qenë ëndërr e Faik Konicës, që në kohën e Turqisë, kur Konica themeloi çmimin Skënderbeu, u shpall personaliteti, por nuk u dha emri. Konica i shkronte mikut të tij, që kur të vijë koha të themelohet një shtet, shqiptarët duhet të krijojnë një urdhër me emrin e Skënderbeut, jo me emra shenjtorësh. Në këtë kuptim është emocionues ky 100-vjetor”, tha Plasari.
“Oficeri i Madh” i Urdhrit Suprem të Shqiponjës edhe për historianin e shquar, Pëllumb Xhufi.https://www.youtube.com/embed/ZC-SqbY-xAo?si=kQ66Vm-AlYaP9IAm
“Jemi këtu në 100-vjetorin e themelimit të Urdhrit të Skënderbeut. Heroi ynë kombëtar, Skënderbeu ka qenë gjithmonë në zemrën time. Unë u jam shumë mirënjohës pedagogëve të mi. I detyrohem shumë udhëheqësit tim të përjetshëm shkencor Aleks Budës, si dhe disa profesorëve të nderuar, duke nisur nga profesor Kristo Frashëri”, tha historiani.
U nderua, Francesco Altimari, studiues arbëresh në fushën e albanologjisë.
Po ashtu, studiuesi i letërsisë arbëreshe, Matteo Mandala, me medaljen “Oficeri i Madh”.
“Këtë medalje ja kushtoj arbëreshëve. Ka mot që ju presim që të ribashkohemi bashkë në familjen tonë evropiane. Mirë se na vini!”, u shpreh ai.
Ernesto Madeo, mori medaljen “Oficeri i Madh”.
“Kemi bërë gjithçka që të jemi bashkë. Kjo vëllazëri e madhe na bashkon për gjashtë shekuj dhe ne kemi ruajtur çdo gjë nga Arbëria. Ia dolëm të çmohet kultura arbëresha”, tha ai në fjalën e tij.
Ismet Elezi fitoi medaljen “Lisi Akademik” në moshën 106-vjeçare.
Në moshë tejet të thyer dhe në karrocë, Elezi e pati të pamundur të marrë fjalën dhe në vend të tij foli mbesa. Me zërin që i dridhej, ajo u shpreh se gjyshi i saj gjithë jetën ja ka kushtuar akademisë.
“Ju falënderojmë që e keni respektuar gjyshin tim, kontributin e tij për akademinë dhe kombin shqiptar”, tha mbesa e tij.
Abaz Hoxha, u nderua me medaljen “Ylli i Madh”.
“Faleminderit zoti president, zoti kryetar i Këshillit të madh të Ministrave, për këtë nder që nuk më bëhet mua personalisht, por kinematografisë shqiptare që i kam kushtuar gjithë jetën time, atyre që krijuan një kulturë të re në kushte të vështira. Kinematografia shqiptare ka krijuar filma që mbeten në historinë e kombit”, tha ai.
Shpresa Gjongecaj, u nderua me titullin “Komandar” të Urdhrit Suprem të Shqiponjës.
“Dekorata është vlerësim për punën time shkencore për 50 vite, kryesisht në arkeologji. Jam shumë e nderuar për këtë çmim. Puna e bërë me përulësi nuk vdes kurrë. Ia dedikoj dekoratën bashkëshortit të ndjerë, që ndërroi jetë vitin e kaluar, por jetën ia dedikoi shkencës”, u shpreh ajo.







