Nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Këshilli Organizativ i Protestës Gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë kërkoi pjesëmarrje masive në tubimin e thirrur më 13 dhjetor në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari theksoi se nga protesta do t’i bëhet thirrje Gjykatës Speciale për drejtësi.
“Qëllimi ynë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët të cilët padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë…. Besojmë se protesta do të jetë masive dhe ftesa jonë është pa dallim. I ftojmë të gjithë”, tha Jashari.
Bujar Dardhishta, nga Këshilli Organizativ i protestës në Shkup, deklaroi se për atë tubim kanë bërë dy kërkesa në qytetin e Shkupit dhe janë në pritje të lejes për mbjatjen e saj.
“Nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë pengesë për arsye se kjo është e drejtë kushtetuese në vendin tonë, jemi shtetas në vendin tonë. Kjo protestë nuk është e adresuar kundrejt ndonjë entiteti kjo është protestë mbipartiake puro shqiptare dhe këtë protestë shqiptarët nuk duhet ta përkrahin parimisht, por realisht”, tha Dardhishta.
Protesta në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë të paraburgosur në Hagë që nga fundi i vitit 2020 është e pesta pas tubimeve të mbajtura gjatë këtij viti në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg. RTSH







