HomeKryesoreSot zgjidhet kreu i ri i SPAK, BE dhe Britania e Madhe:...

Sot zgjidhet kreu i ri i SPAK, BE dhe Britania e Madhe: Presim përgjegjshmëri të lartë nga KLP për zgjedhjen e një personi me integritet

Advertismentspot_img

Në prag të zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë dhënë mesazhe të qarta për rëndësinë e procesit dhe nevojën për integritet maksimal.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, theksoi se pritet përgjegjshmëri e lartë nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe se është thelbësore që në krye të SPAK të zgjidhet një person “me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”.

Gonzato shtoi se procesi i përzgjedhjes duhet të jetë shembullor dhe në shërbim të forcimit të besimit publik tek drejtësia. Ai njoftoi se së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së do të jetë i pranishëm në seancën e nesërme të votimit.

“Anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, tha Gonzato.

Në të njëjtën linjë, ishte edhe Ambasada Britanike në Tiranë, e cila kërkon që KLP ta zhvillojë procesin në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.

“Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, shkruan Ambasada Britanike në Tiranë.

KLP do të zhvillojë ditën e nesërme mbledhjen për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.  Në garë janë katër kandidatë: Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho. Të katër kandidatët, të cilët aspirojnë për drejtimin e prokurorisë së posaçme do të shpalosin përpara anëtarëve të KLP-së platformat e tyre. Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së kandidatit apo kandidates etj.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK konsiderohet një moment vendimtar për vazhdimësinë e reformës në drejtësi dhe për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular