Ushtarët turq në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kanë kryer patrullimin e radhës përgjatë kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ata kanë kryer patrullime me qëllim të sigurimit të një pranie të dukshme dhe qetësuese në terren”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Përmes profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre, sipas KFOR-it, ata kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe luajnë një rol kyç në misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
KFOR-i, javë më parë, ka njoftuar se ka forcuar praninë dhe patrullimet në të gjithë Kosovën si pjesë e aktiviteteve të rregullta stërvitore.
“Me një pozicion të shkathët dhe fleksibël, KFOR mbetet i gatshëm të përgjigjet ndaj çdo zhvillimi të sigurisë, duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhej në njoftim.
Në njoftim theksohej se komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, vazhdon të jetë në kontakt të rregullt me partnerët kryesorë në Kosovë dhe Serbi.







