Nga Gentian GABA
Në shikim të parë duket paradoks: në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, Shtetet e Bashkuara flasin për nevojën që Europa të mbajë më shumë peshë vetë, të rishikojë iluzionet e epokës së rendit unipolar dhe të dalë nga varësia ndaj Uashingtonit. Në të njëjtën kohë, në Tiranë, Amerika duket më e pranishme se kurrë… jo në krah të qeverisë, por në krah të një institucioni: SPAK-ut.
Nga një anë, kemi diskursin e Edi Ramës, që pak muaj më parë la të kuptohet se “amerikanët kanë ikur”, dhe deklaratat e njëpasnjëshme për monopolin e tij në mbështetje të SPAK-ut, por edhe breshëritë e ashpra ndaj institucionit kur ky i fundit u afrua rreth njerëzve më të pushtetshëm pranë tij. Nga ana tjetër, kemi mesazhet zyrtare nga Departamenti i Shtetit, vizitat e zyrtarëve të lartë, përshëndetjet përvjetore dhe mbështetjen e hapur për SPAK-un si instrument kyç kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e në fund zbarkimin edhe një herë pranë KLP-së në ditën e zgjedhjes së pasuesit të Dumanit.
Këtu hyn në skenë SPAK. Për një pjesë të klasës politike shqiptare, SPAK ishte menduar si një dekor i bukur për t’u treguar Brukselit e Uashingtonit. Por tre vitet e fundit treguan se ky institucion, me gjithë kufizimet dhe presionet, po bën atë që premtonte reforma në drejtësi: po ul në bankën e të akuzuarve njerëz të pushtetshëm nga të gjitha krahët, po lufton me vendosmëri krimin e organizuar dhe, po aq e rëndësishme, është një nga pikat e forta të CV-së sonë në rrugën drejt BE-së.
Pikërisht këtu Amerika zgjedh të mos tërhiqet. Ajo mund të ketë shkurtuar disa programe asistence, mund të mos e mbajë më “nën dorë” çdo proces politik. Por nuk është tërhequr asnjë centimetër nga mbështetja për strukturat që godasin korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar. Sepse korrupsioni në një vend të vogël të NATO-s nuk është thjesht turp moral; është rrezik sigurie edhe për SHBA Për shoqërinë shqiptare, ky është një lajm i mirë dhe i keq njëkohësisht. I mirë, sepse tregon se ekziston një vijë e drejtpërdrejtë mes aspiratës për shtet normal dhe interesit strategjik të një fuqie si SHBA. Drejtësia funksionale nuk është vetëm luks perëndimor; është kusht për të qenë partner i besueshëm. I keq, sepse demaskon komoditetin e një pjese të elitës politike që është mësuar ta përdorë “Amerikën” si stoli propagandistik, por jo si standard llogaridhënieje.
Për politikën shqiptare, mesazhi është brutal. Me ndryshimin e administratave, keqkuptimet këtu çuan në “trokitje” gotash, kur lexuan te postura e re e administratës Trump një vullnet për të parë më shumë nga vetja, me një kthim te realizmi politik që, sipas leximeve vendore, do të përkthehej me një autonomi për t’u kthyer te refreni i vjetër “Selanik e tatëpjetë…”. Por shishet e shampanjës u çelën më së koti, sepse SHBA mund të tërhiqet nga roli i tutorit politik në Europë, por jo nga beteja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Sepse aty nuk është vetëm demokracia jonë në lojë, është edhe siguria e saj.
Natyrisht, në një vend normal, ecejaket e përfaqësuesve ndërkombëtarë në zyrat e SPAK do të dukeshin jonormale. Mirëpo ne nuk jemi një vend normal, për shkak të korrupsionit që ka mbytur zhvillimin dhe jetën demokratike të vendit. Nuk jemi vend normal sepse flirti i politikës me krimin e organizuar ka tjetërsuar përfaqësimin politik dhe ka barbarizuar arenën publike.
Dhe kjo shfaqje jonormale është produkt i drejtëpërdrejtë i anormalitetit të politikës sonë, që në 35 vite ka asfiksuar drejtësinë si një nga shtyllat e dialektikës së pushteteve, bashkë me legjislativin dhe ekzekutivin. Dhe kjo është arsyeja pse sot, në sytë e Uashingtonit, partneri i vërtetë në Tiranë nuk është asnjë qeveri kalimtare, asnjë lider që ngjitet e zbret nga pushteti. Është një institucion i ri, i brishtë, i sulmuar, por vendimtar: SPAK-u. Nëse ky institucion bie, bie jo vetëm shpresa jonë për drejtësi, por edhe arsyeja pse Perëndimi duhet të na marrë seriozisht.







