Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023.
Në një përgjigje zyrtare për mediat në Kosovë, Brukseli ka bërë të ditur se blloku evropian synon të vazhdojë me heqjen e mëtejshme të këtyre masave.
Dhe për këtë hap duket se kanë ndikuar zhvillimet e ditëve të fundit në komunat me shumicë serbe, ku kryetarët shqiptarë të tyre ia dorëzuan pushtetin krerëve të rinj serbë të dalë nga zgjedhjet vendore të muajit të shkuar.
Në përgjigjen e saj BE-ja thotë se ka mirëpritur dorëzimin e qetë të qeverisjes lokale në katër komunat veriore, ndërsa thekson se pret që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike.
Po ashtu, BE-ja thotë se po ndjek nga afër zhvillimet për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues — përfshirë certifikimin e partive politike, pjesëmarrjen e tyre dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.
“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për vendin në rrugën drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigje.
BE-ja shton gjithashtu se pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme evropiane dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Bashkimi Evropian e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023 për shkak të rolit të Qeverisë Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit.







