HomePolitikeBujar Leskaj: Ligji i ri për PPP-të garanton “errësirën financiare” të PPP-ve!...

Bujar Leskaj: Ligji i ri për PPP-të garanton “errësirën financiare” të PPP-ve! Ja arsyet pse nuk duhet votuar

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj
Projektligji i ri “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat” nuk duhet votuar për një sërë arsyesh, ndër të cilat më kryesoret janë:

I. Nuk shmang kapjen e Shtetit dhe vlerëson shumë dobët riskun

Projektligji i jep pushtet të zgjeruar institucioneve qendrore, veçanërisht ministrive përkatëse, në vlerësimin, përzgjedhjen dhe miratimin e projekteve PPP. Rrritja e pushtetit diskrecional, pa forcim real të mekanizmave të transparencës, krijon risk për (i) vendimmarrje të ngushtë politike, sikurse ka ndodhur gjithnjë 13 vitet e fundit, (ii) reduktim të rolit të institucioneve të pavarura mbikëqyrëse, (iii) minimizim të kontrollit parlamentar dhe (iv) dobësim të rolit të shoqërisë civile dhe medias në proces.

Modeli aktual nuk mban garanci të mjaftueshme kundër kapjes së Shtetit nga grupe të fuqishme ekonomike, oligarkët e Ramës, përmes përzgjedhjes okulte të koncesionarëve dhe kompanive që fitojnë PPP-të.

Një prej pikave kyçe të dështimit të shumë PPP-ve ekzistuese tek ne, krahas kapjes së Shtetit, ka qenë vlerësimi formal, i paplotë ose i manipuluar i riskut fiskal. Projektligji i ri nuk definon qartë metodologjinë e vlerësimit të riskut, nuk përcakton një mekanizëm të detyrueshëm “value for money”, nuk parashikon auditim të detyrueshëm ex-ante nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nuk vendos kufizime më të forta mbi projektet me pagesë të garantuar nga buxheti i shtetit.

Në mungesë të këtyre mekanizmave, rrezikohet të vazhdohet me projekte të nënvleftësuara ekonomikisht, nga të cilat përfitojnë kompanitë të fuqishme private rreth Ramës, ndërsa rreziqet dhe humbjet i transferohen Buxhetit të Shtetit dhe taksapaguesve.

Vendet me praktika të mira ndërkombëtare të PPP-të kanë kufizime të qarta fiskale për akordimin e tyre, si p.sh. Britania e Madhe, Portugalia, Kroacia, etj. Ky projektligj nuk parashikon një sistem të qartë monitorimi të detyrimeve të kushtëzuara dhe një mekanizëm automatik në rast rritjeje të riskut (p.sh. kërkesë për rishikim ose mbyllje projekti).

Pa këto garanci, portofoli i PPP-ve mund të shndërrohet sërish në detyrime të fshehura që rriten vit pas viti, sikurse ka ndodhur në 8 vitet e fundit, duke rrezikuar rëndë stabilitetin fiskal afatmesëm të Shqipërisë.

II. Projektligji garanton “errësirën financiare” të PPP-ve!

Sipas parimeve të mirëqeverisjes së OECD-së, në çdo vend që përdor partneritetet publik–privat (PPP), transparenca mbi risqet fiskale dhe detyrimet kontingjente është themeli i qeverisjes së mirë financiare. OECD, FMN dhe Banka Botërore kërkojnë që çdo vend që përdor PPP (i) të raportojë risqet fiskale të kontratave, (ii) të publikojë detyrimet kontingjente, (iii) të evidentojë ekspozimin total të shtetit dhe të buxhetit afatgjatë, si dhe (iv) të raportojë performancën e kontratave.

Shqipëria në letër i ka të përcaktuara këto detyrime, por në praktikë raportimi është i pjesshëm, sporadik, mungon dokumenti i plotë vjetor i integruar, mungojnë detajet për secilën kontratë dhe mungon analiza e riskut afatgjatë.

Kjo nënkupton se vendi në praktikë operon pa një panoramë të qartë të ekspozimit financiar të shtetit.

Në Shqipëri, ku portofoli i PPP-ve ka arritur përmasa të konsiderueshme dhe ku një pjesë e projekteve mbart risk të lartë buxhetor, publikimi vjetor i raportit të detyrimeve kontingjente është jo vetëm praktikë e mirë ndërkombëtare, por edhe detyrim ligjor. Megjithatë, Ministria e Financave për vite me radhë ka dështuar të publikojë një raport të plotë, të strukturuar dhe të aksesueshëm mbi të gjitha risqet fiskale që burojnë nga kontratat koncesionare e PPP.

Në mungesë të raportimit vjetor, qeveria thjesht fsheh nga opinioni publik dhe nga vetë institucionet e pavarura kontrolluese një sërë detyrimesh që nuk shfaqen si borxh publik, por janë borxh i fshehur dhe i kushtëzuar, i cili mund të “eksplodojë” në çdo krizë apo ulje të të ardhurave.

Kjo mungesë transparence është një nga problematikat më të mprehta të qeverisjes fiskale në Shqipëri, me pasoja serioze për buxhetin, politikat ekonomike dhe vetë qytetarët.

Në praktikat më të avancuara fiskale, këto detyrime raportohen dhe llogariten si pjesë e rrezikut të borxhit. Në Shqipëri, ato shpesh trajtohen sikur nuk ekzistojnë. Detyrimet kontingjente janë pjesë integrale e borxhit të kushtëzuar. FMN dhe Eurostat i konsiderojnë PPP-të me pagesë të garantuar si detyrime të ngjashme me borxhin publik.

Mosraportimi i tyre tek ne shkakton (i) nënvlerësim artificial të borxhit të vërtetë, (ii) krijim të iluzionit të stabilitetit financiar, (iii) mundësi për keqadministrim të politikave publike dhe (iv) risk që Shqipëria të surprizohet nga skenarë financiarë të ngatërruar (kriza të likuiditetit, pagesa të papritura, etj.).

Portofoli i PPP-ve në Shqipëri është i përqendruar në fusha të ndjeshme: në shëndetësi, transport dhe infrastrukturë, energji, shërbime të mirëmbajtjes së rrugëve, etj. Çdo projekt ka mekanizma të ndryshëm pagesash, riskesh dhe garancish. Pa raport të plotë vjetor, nuk dihet ekspozimi total i shtetit, nuk ekziston një hartë e riskut fiskal, nuk ka mekanizëm amortizimi të riskut, nuk dihet sa prej PPP-ve janë financiarisht të qëndrueshme dhe nuk monitorohet impakti afatgjatë në buxhet. Kjo krijon një situatë ku sekti Rama ecën “në errësirë financiare”, me rrezik të akumulojë papritur detyrime të papërballueshme.

III. Projektligji nuk garanton vlerësimin e PPP-ve sipas vlerës së parasë publike të harxhuar (value for money)

Partneritetet Publik–Privat (PPP) janë instrumente të fuqishme të zhvillimit ekonomik, por vetëm nëse projektohen dhe implementohen mbi një analizë solide të leverdishmërisë ekonomike dhe financiare – të ashtuquajturën Value for Money.

Në mungesë të këtij vlerësimi, PPP-të rrezikojnë të kthehen në angazhime të shtrenjta, joefikase dhe me kosto afatgjata të larta për taksapaguesit, sikurse ka ndodhur këto tetë vitet e fundit. Pikërisht kjo është një nga problematikat më të mprehta të qeverisjes fiskale dhe të menaxhimit të investimeve publike në Shqipëri: shumica e PPP-ve nuk kanë kaluar përmes një procesi të plotë, transparent dhe të standardizuar të vlerësimit të Value for Money.

Projektligji nuk e parashikon këtë analizë. Ky boshllëk metodologjik nuk është teknik, por thellësisht politik, sepse pa Value for Money nuk ka kritere objektive që të tregojnë nëse projekti i shërben interesit publik apo interesave të aktorëve të caktuar.

Deri tani, sekti Rama në qeverisje ka miratuar PPP mbi baza të dobëta teknike ose me studime të pjesshme. Çfarë u ka munguar pjesërisht ose totalisht, janë (i) analiza kosto–përfitime, (ii) analiza e skenarëve alternativë, (iii) krahasimi me investimin tradicional buxhetor, (iv) vlerësimi i impaktit afatgjatë socio-ekonomik dhe (v) analiza e kërkesës reale të tregut.

Në mungesë të tyre, projektet PPP në shumicën e tyre kanë dalë teknikisht të pamjaftueshëm, financiarisht të pavlefshëm dhe ekonomikisht të panevojshëm.

xxx

Një projektligj i ri duhet të fuqizojë barrierat mbrojtëse të interesit qytetar ndaj abuzimit dhe korrupsionit me PPP-të e vjetra dhe të reja, e jo t’i zbusë ato. Nëse projektligji aktual miratohet, vendi do të vazhdojë ciklin e njohur: PPP të kapura, të shtrenjta, të paefektshme, me risk të lartë fiskal dhe me fitime të garantuara për një numër të kufizuar oligarkësh rreth Ramës.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular