Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë vendosën të lirojnë me kusht ish-kryetarin e Malishevës Isni Kilaj. Njoftimi erdhi pas rishikimit të masës së paraburgimit në “Çështjen 12”, ku ai gjykohet së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet aktualisht në Hagë.
Gjyqtari i çështjes arriti në përfundimin se rrethanat kanë ndryshuar që nga tetori dhe se vazhdimi i paraburgimit për Kilajn nuk është më i arsyeshëm dhe as proporcional. Gjykata Speciale njoftoi se megjithëse u konstatua se ekzistonte njëfarë rreziku se nëse Kilaj lirohet, mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale, gjyqtari theksoi se e drejta për liri në këtë fazë është më e madhe se mbajtja e tij në paraburgim.
Isni Kilaj mbetet ende i akuzuar dhe lirimi i tij shoqërohet me kushte strikte, të vendosura për të parandaluar çdo ndërhyrje në proces, ndërsa Gjykata Speciale paralajmëroi se çdo shkelje e kushteve do të rezultojë me nxjerrje të menjëhershme të fletarrestit për Kilajn. Ish-kryetari i Malishevës u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim në Hagë.







