Pas fjalës së ministrit Blendi Gonxhja në interpelancën e sotme në Kuvend mbi projektin e TID Durrës, replikoi deputetja e opozitës Ina Zhupa, kërkuesja e interpelancës, e cila pretendoi se banorët e prekur nga projekti i rijetësimit nuk janë informuar apo konsultuar.
Ina Zhupa tha se pronat e disa prej qytetarëve të Durrësit rezultojnë të tjetërsuara në projekt.
“Zoti Ministër, më vjen keq që viheni në një pozitë për një projekt që nuk është i juaji dhe jeni i detyruar ta mbroni, por mund të tërhiqeni. Nuk është turp të pranoni dështimin e ministres para jush”, tha Ina Zhupa, duke cilësuar më tej, shkeljet ligjore dhe mangësitë e projektit, si dhe shkatërrimin që i sjell ky projekt qytetit të Durrësit.
Deputetja Zhupa tha se, vendbanimet janë palca e qytetit dhe të rëndësishme për t’u ruajtur të patjetërsueshme.
“Këtu është shkelur i gjithë procesi. Është qesharake të thoni se janë bërë konsulta e dëgjesa, se i ka dëgjuar edhe Kryeministri… Ligji i shpronësimeve është shumë i qartë. Ligji kërkon që banorët e prekur drejtpërdrejtë të dëgjohen dhe të konsultohen. Nuk mund të konsultosh institucionet e tua për të prishur banesën e dikujt”, tha Zhupa në foltore, duke ripërsëritur se banorët nuk janë njoftuar as në fazën e projektimit, as të konsultimit dhe as në fazën e vendimmarrjes.
Gjithashtu, sipas saj, dokumentet themelore si pasaporta e objektit, projekte, preventiva, ekspertiza, nuk janë dhe nuk janë vënë kurrë në dispozicion.
Zhupa i kërkoi ministrit Gonxhja t’i shpjegonte se cili ishte modeli i një qyteti në botë që ka rrafshuar vendbanimet për t’i dhënë hov turizmit apo për të ruajtur identitetin. “I vetmi model i tillë mund të jetë lufta”, tha Zhupa, e cila në fund të fjalës së saj e ftoi kreun e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të bëjë më të mirën për Durrësin dhe qytetarët e tij.
TID Durrës është një nga projektet më të mëdhenj në këtë qytet, i cili synon jo vetëm ta rikualifikojë zonën në të cilën zhvillohet, por i jep qytetit një tjetër vlerë.
Kështu deklaroi sot në Kuvend ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, lidhur me projektin TID Durrës.
Gonxhja tha se “i vetmi shqetësim për ata që do të dinin vlerat e projektit që jemi duke folur për mua do të ishte se përse nuk e kemi mbyllur ende punën, pse vonohet një projekt jashtëzakonisht jetik për Durrësin dhe për tërë turizmin shqiptar dhe jo të anatemohemi që të mos rijetësohet ky investim unikal për nga koncepti i integruar dhe transformues, fuqizues ekonomikisht dhe shpëtues i trashëgimisë historike, arkeologjike dhe arkitekturore”.
Duke u drejtuar deputetes Zhupa, Gonxhja tha se “e vlerësoj të rëndësishme këtë interpelancë si një rast i mirë për të prezantuar edhe një herë projektin TID, duke e konsideruar të rëndësishëm investimin e integruar, transformues në qytetin e Durrësit për ju dhe të gjithë kolegët e paqartë dhe opinion publik”.
“Qëllimi kryesor i projektit është restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës së ardhshme TID Durrës, e cila ndodhet brenda zonës arkeologjike A, përmes konservimit dhe rehabilitimit të shtëpive tradicionale, shesheve, objekteve, rrugëve e shtigjeve, së bashku me rimobilimin urban e rekreativ brenda këtij ansambli. Amfiteatri antik integrohet në Parkun Arkeologjik TID, duke krijuar shërbime për vizitorët, një oaz të miradministruar e mirëpromovuar për çdo lloj syri/vizite”, nënvizoi Gonxhja.
Ministri Blendi Gonxhja sqaron projektin TID Durrës
Ministri Gonxhja solli shembujt TID-eve të rijetësuara në qytetet e tjera të vendit.
“Shembujt e suksesshëm anembanë Shqipërisë flasin me fakte e shifra, rilindur pas dekadave degradimi: Pazari i Ri dhe i Kalasë në Tiranë, pedonalet e qendra historike në Shkodër, Korçë, Berat, Krujë, Gjirokastër dhe Vlorë, ku sot numri i vizitorëve thyen rekorde, ku gëlon tradita e kulinaria, pelegrinazhi e aktivitetet, ku janë mbi 1000 biznese të impaktuara nga modeli BID brenda TID-eve, ku rigjenerimi urban e rikthimi në identitet kanë rritur pandalshëm vlerat e pronës në tërë qytetet ku u ndërhy me projekte të ngjashme, duke rivitalizuar rajone e qarqe”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se projekti është hartuar nga ekspertë shqiptarë dhe italianë, në përputhje me planin rregullues të qytetit dhe me verifikimet e dëmtimeve pas tërmetit.
“Asnjë hap a veprim i ndërmarrë, për çdo proces të ndjekur, nuk është në kundërshtim me ligjet, madje aktorët e përfshirë kanë proceduar: pas përditësimeve më të fundit të Planit Rregullues të qytetit, pas rezultateve të verifikimeve të bëra pas dëmtimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019, pasi është marrë në dorëzim inventari i objekteve të klasifikuara monument kulture në zonën e projektit, pasi është marrë inventar për gjetjet arkeologjike në zonën e projektit dhe pasi janë marrë planet e ardhshme për ndërhyrje mirëmbajtjeje në këto objekte”, tha Gonxhja.
Sipas tij, ekipi i ekspertëve ka identifikuar të gjithë potencialin arkeologjik dhe të trashëgimisë kulturore që mund të shërbente si atraksion turistik në zonën e projektit.
“55 pika me interes, përfshirë edhe pika të padukshme sot për shkak të ndërtimeve të bëra ndër vite, krahas objekteve kryesore me interes në zonë si Amfiteatri Antik, shtëpia e Aleksandër Moisiut, Xhamia, Hamami dhe muret rrethuese të Kalasë, duke e pasuruar ansamblin TID me tërheqje më të fuqishme. Ky projekt synon në një riqendërzim të zonës arkeologjike, për ta bërë atë një motor të ri zhvillimi për të gjithë qytetin, duke kriijuar një park të madh arkeologjik urban. Projekti siguron rrugë dhe sheshe të organizuara, duke i kthyer bulevardet dhe rrugët tregtare në gjurmë historike për qarkullim të orientuar, konsum tregtar dhe turizëm”, tha Gonxhja.
Gonxhja vuri në dukje se ky proces ka qenë transparent dhe profesional, pa lidhje me aludimet për klientelizëm apo improvizime kursimi e leverdie.
“Janë rreth 5 milionë dollarë nga AADF, në fazë prokurimi, që shkojnë për restaurimet e fasadave, konsolidimin e objekteve të prekura nga projekti. Ndërsa qeveria (FSHZH) dhe Bashkia Durrës janë angazhuar për të siguruar vazhdimin e projektit në infrastrukturë në shumën e përafërt rreth 6 milionë dollarë, me buxhet shteti apo donatorë të tjerë. Do të zbatohen edhe Planet e Konservimit dhe Gërmimet Arkeologjike të Amfiteatrit Romak nga MTKS”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Zhupës, Gonxhja tha se “ndërtesat historike kulturore ruhen/restaurohen për të ruajtur integritetin, asnjë objekt apo element fizik që mbart status apo vlera historike nuk do të humbet. Projekti bazohet në modelin e rikualifikimit urban dhe restaurimit të objekteve historike, me referenca nga praktikat ndërkombëtare, ku ruhet trashëgimia e periudhave të ndryshme historike dhe ndërveprohet me trashëgiminë arkeologjike”.
Gonxhja tha se “janë marë të gjitha masat e nevojshme në kuadër të bashkërendimit institucional dhe ligjit për konsultim publik”.







