Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk ka certifikuar listën me 33 kandidatë të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Vendimi erdhi pasi vetëm katër anëtarë votuan pro, dy votuan kundër, ndërsa gjashtë abstenuan, duke mos arritur shumicën e nevojshme për miratim.
Dy votat kundër certifikimit erdhën nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.
“Gjitha ato që janë sqaruar edhe më herët, unë dhe kolegu im jemi kundër certifikimit të Listës Serbe, bashkë me kandidatët e tyre”, deklaroi Kurteshi.
KQZ certifikoi listën e kandidatëve të 23 subjekteve politike, ku në total janë 1,146 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
KQZ ka certifikuar gjithashtu Listën Votuese, sipas së cilës gjithsej 2,076,290 qytetarë janë të regjistruar për të votuar më 28 dhjetor 2025.
Nga ky numër 1,999,205 votues janë të regjistruar brenda territorit të Kosovës, 77,085 qytetarë janë të regjistruar për votim nga jashtë vendit. Sipas KQZ-së, Lista Votuese ka 7,192 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.







