/ Në pritje të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, për vitin 2024, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit prezanton kandidatët e përzgjedhur.
Juria e këtij edicioni të çmimeve, përbëhet nga Besnik Mustafaj (kryetar) dhe me anëtarë: Dhurata Shehri, Elsa Skënderi Rakipllari, Maklena Nika dhe Fatmira Nikolli.
Enit Karafili është një prej 10 autorëve të përzgjedhur nga juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2024, me romanin “Epope intime”.
Enit Karafili Steiner, një shkrimtare shqiptare që jeton në Zvicër, vjen me këtë sagë të paharrueshme shqiptare, ku malli dhe dashuria për atdheun lidhen me fije të padukshme me mallin dhe dashurinë për njerëzit.
Romani rrëfen për Marlën dhe Marinin, ende në prag të jetës, kushërinj të lidhur në mënyrë “mëkatare” me njëri-tjetrin, të cilët largohen nga Shqipëria e 1995-ës.
Një tjetër finalist është autori Virgjil Muçi me romanin “Tri jetët e zotit P.”, një roman për dashurinë e pakufishme dhe të patjetërsueshme të një njeriu për pushtetin mbi qeniet njerëzore në shprehjen e vet më të plotë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.
Për hir të këtij misioni, Zoti P. kuturiset e ndërmerr një udhëtim të pazakontë në tri botë: atë të vdekatarëve të rëndomtë, pra Toka; atë të hijeve të përjetshme, Nëntoka; për t’u ndalur në stacionin e fundit, aty ku shtrëngohet të paguajë haraçin: mohimin e vetvetes, për të siguruar përjetësinë.
Ndërsa Aida Baro është një prej 10 përkthyesve të përzgjedhur nga juria, si finaliste për Çmimin e madh të Përkthimit, me romanin “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” nga Elvira Dones.
“Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” nuk është thjesht një roman, por historia e vërtetë e një djaloshi teksan, të cilin Donesi e ka shoqëruar përgjatë verës së mbrame të jetës së tij. Ai është një reflektim mbi dënimin kapital dhe mënyrat perverse të shfrytëzimit të sistemit të drejtësisë, mbi kthesat ogurzeza të fatit dhe përpjekjet e dëshpëruara të shtresave të margjinalizuara për të kaluar një prag të pakapërcyeshëm, një pasqyrë e vetëmohimit të grave në çfarëdolloj sistemi.
Edhe Elda Gjana është një prej 10 përkthyesve të përzgjedhur nga juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2024.
Ajo është përzgjedhur për përkthimin e librit “Shtëpia e fundit para malit” nga autorja Monika Helfer.
Helfer-i na dhuron një roman të fuqishëm, me një prozë me intensitet të rrallë, që na çon në një botë rurale e të ashpër dhe që rrëfen për barrën që rëndon në historinë e çdo familjeje. Shtëpia e fundit para malit është cilësuar si një rast editorial origjinal në botën gjermane, duke fituar zemrat e të gjithëve: kritikëve, lexuesve dhe librarëve.







