Nga Halil Teodori
Rënia e komunizmit në Shqipëri 35 vite më parë nuk prodhoi një rend të ri institucional, por një shpërbërje të beftë të aparatit të vjetër shtetëror pa ndërtuar një arkitekturë funksionale në vend të tij. Në këtë vakum historik, pushteti nuk u transferua drejt institucioneve të reja të pavarura, por u zhvendos në mënyrë kaotike nga Partia-Shtet drejt grupeve të interesit, klaneve partiake, familjeve politike dhe oligarkive të sapoformuara të tranzicionit. Ky proces nuk ishte një tranzicion demokratik, por një formë mutacioni politik, ku strukturat e frakturës komuniste u ribën në forma të tjera kontrolli dhe përfitimi.
Ky tranzicion i deformuar prodhoi tre plagë strukturore që e shënjuan përfundimisht historinë e tridhjetë viteve të mëvonshme.
Së pari, kapja e shtetit.
Segmentet politike të lidhura me ish-Sigurimin e Shtetit, së bashku me elita të improvizuara ekonomike të dalë nga proceset e privatizimit të rrëmbyer, arritën të vendosin kontroll të qëndrueshëm mbi administratën publike, policinë, gjyqësorin dhe burimet ekonomike strategjike. Shteti u shndërrua nga garant i të drejtave në një mekanizëm shërbimi për klientelën, duke zhdukur kufirin midis pushtetit politik dhe interesit privat. Kjo kapje nuk ishte episodike, por organe e funksionimit të shtetit shqiptar pas 1990-s.
Së dyti, mosndëshkimi i krimeve të periudhës komuniste.
Mungesa e drejtësisë tranzicionale dërgoi tek shoqëria një mesazh fatal: dhuna shtetërore, abuzimi, terrori dhe persekutimi politik nuk kanë kosto. Në këtë klimë, krimi jo vetëm që nuk u dënua, por në mënyrë simbolike u shpërblye. Shumë prej aktorëve të djeshëm u rikthyen në poste të reja, duke krijuar një vazhdimësi të pushtetit përmes formave të reja, ndërkohë që viktimat e diktaturës mbetën të pambrojtura dhe të padëgjuara. Ky mosndëshkim solli një kulturë të re politike: ai që ka pushtet nuk mban përgjegjësi.
Së treti, demokratizimi i simuluar.
Institucionet formalisht u ngritën, parlamenti, partitë, mediat, sistemi shumëpartiak, por ato kurrë nuk u lejuan të funksiononin si entitete të pavarura. Në vend të demokracisë funksionale, ndërtohet një fasadë demokratike. Brenda saj, vendimmarrja dhe burimet vazhdonin të kontrolloheshin nga struktura të centralizuara partiake dhe rrjete informale klienteliste. Kjo gjendje e simulimit demokratik krijoi një dualitet shkatërrues: ligje moderne në letër dhe praktikë autoritare në realitet.
Këto tre plagë, kapja e shtetit, mosndëshkimi dhe simulimi institucional, prodhuan një terren pjellor për korrupsion kapilar dhe për kriminalizimin e hapësirës publike. Ato e rrënuan besimin e qytetarëve, e asifikuan elitën politike, e deformuan ekonominë dhe e shndërruan tranzicionin shqiptar në një cikël të mbyllur ku korrupsioni nuk është devijim, por mënyrë funksionimi. Në këtë kuadër, krimi nuk mbeti fenomen paralel me shtetin, por u bë partner i tij.
Kriminalizimi i sistemit, faktet që e përligjin perceptimin e një vendi të zhytur në kriminalitet
Kriminalizimi i sistemit në Shqipërinë post-komuniste është sot një kategori analitike e mbështetur nga evidencë e gjerë, jo një hiperbolë e debatit publik. Të dhënat mbi trafikun, korrupsionin dhe infiltrimin e krimit të organizuar brenda institucioneve e përligjin perceptimin e një vendi ku kriminaliteti nuk është periferi, por infrastrukturë e jetës politike dhe ekonomike.
Rrënjët e kësaj gjendjeje gjenden në dobësinë strukturore të shtetit, mungesën e kontrollit institucional dhe tolerimin sistematik të ekonomisë së zezë që nga vitet e para të tranzicionit. Faktorët që pasojnë e përshkruajnë me aktualitet këtë realitet.
Që nga vitet 1990, Shqipëria u shndërrua në një nyje tranziti për trafikun e qenieve njerëzore dhe narkotikëve. Në dekadat pas rënies së komunizmit, dhjetëra raporte ndërkombëtare kanë konstatuar se rrjetet kriminale shqiptare krijuan kapacitetet për të operuar ndërkufitarisht, duke shtrirë ndikimin nga Ballkani në Europën Perëndimore dhe Amerikën Latine. Kjo fuqizim global lidhet drejtpërdrejt me brishtësinë institucionale në vend: mungesa e kontrollit mbi territorin, fragmentarizimi i policisë, dhe bashkëpunimet informale midis zyrtarëve publikë dhe klaneve kriminale krijuan një simbiozë ku krimi gjen mbrojtje, ndërsa politika përfitime financiare dhe elektorale.
Edhe pse operacionet shtetërore reduktuan kultivimin masiv, trafiku nuk u zhduk. Përkundrazi, struktura kriminale u diversifikua duke kaluar nga kanabisi te kokaina dhe heroina, me linja të kontrolluara nga grupe shqiptare.
Para reformës në drejtësi, sistemi shqiptar ishte një prej më të korruptuarve në Europë. Indeksi i korrupsionit i BE-së dhe i institucioneve të tjera ndërkombëtare tregonte se më shumë se 80 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve perceptoheshin si të korruptuar ose të kapur. Në 25 vitet e para të tranzicionit, pothuajse asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk u dënua me burg për korrupsion, pavarësisht dhjetëra skandaleve që përfshinin miliona euro dhe abuzime të dëmshme për interesin publik.
Vetë fakti që drejtësia nuk funksiononte e legjitimoi perceptimin e pandëshkueshmërisë, një nga motorët kryesorë të kriminalizimit të shtetit. Edhe sot, pavarësisht reformës, drejtësia e re përballet me boshllëqe strukturore që grupet kriminale dhe politika vazhdojnë t’i shfrytëzojnë.
Situata aktuale tregon se kriminaliteti nuk është thjesht produkt i tranzicionit të tejzgjatur, por një fenomen i gjallë që përshtatet dhe rigjenerohet. Investime të dyshimta kapitale vazhdojnë të depërtojnë në qendrat urbane, shpesh pa kapacitet hetimor për të ndjekur burimin e tyre. Çdo raport i fundit i BE-së për negociatat e anëtarësimit ngre alarmin për korrupsion, presion politik dhe ndërhyrje të aktorëve kriminalë.
Në një klimë ku krimi operon me më shumë efikasitet se shteti, perceptimi i një Shqipërie të kriminalizuar nuk është gjykim moral, por përshkrim empirik i një realiteti që kërkon reagim institucional, presion shoqëror dhe përmbysje të logjikës së pandëshkueshmërisë.
Kur korrupsioni bëhet mënyrë jetese
Në Shqipëri korrupsioni nuk është thjesht fenomen, por kulturë funksionale. Vetë sociologjia e tranzicionit e shpjegon këtë përmes disa mekanizmave.
Patronazhi partiak.
Punësimet, kontratat, lejet apo licencat shpërndahen jo sipas meritës, por sipas besnikërisë politike.
Korrupsioni i vogël.
Rryshfeti në shërbime publike u institucionalizua në mjekësi, arsim, polici, administratë.
Korrupsioni i madh.
PPP-të, tenderat, investimet strategjike dhe kullat urbane përbëjnë mekanizmat kryesorë të transferimit të burimeve publike tek interesat private.
Korrupsioni elektoral.
Këmbimi i votës për vende pune, para, ose shërbime është një realitet periodik.
Kjo krijoi një rend social ku integriteti shihet si dëm ekonomik dhe ku qytetari ndjehet i pambrojtur ndaj shtetit.
Politika ka dështuar në detyrat themelore
Ndalimin e kapjes së shtetit.
Me mungesën e vullnetit për të çliruar institucionet nga ndikimi partiak, partitë politike i kanë kthyer ato në shtojca të pushtetit.
Gjithashtu garantimi i drejtësisë funksionale.
Është fakt i pamohueshëm dhe shqetësues që për 30 vjet klasa politike ka prodhuar ligje të cilat nuk synojnë pavarësinë, por kontrollin e institucioneve të drejtësisë.
Ka qenë e dukshme dhe degraduese e shtetit, transparenca në përdorimin e fondeve publike. Tenderit, koncesionet dhe PPP-të u shndërruan në instrumente të përvetësimit, jo në mekanizma zhvillimi.
Shqipëria vuan nga një fenomen social, apatia civile
Shumica e qytetarëve e ndjejnë se zëri i tyre nuk sjell ndryshim.
Mosbesimi tek institucionet prodhon mosreagim.
Ky është terreni ideal për korrupsion.
Megjithatë ekziston një detyrim moral dhe qytetar, media e pavarur duhet të shërbejë si mekanizëm kontrolli publik, të paktën ky mision u takon atyre që kanë shpëtuar nga kthetrat e kontrollit të pushtetit dhe ndëshkimi ekonomik.
Shoqëria civile duhet të mos jetë bisht i partive, por të reformohet në organizata profesionale të qëndrueshme. Akademia duhet të dalë nga heshtja dhe të mendojë si autoritet moral i kombit.
Reagim nuk është një fjalë e mirëqëlluar.
Është një politikë e qartë veprimi. Pa një kontratë morale të përbashkët, çdo reformë mbetet kozmetike.
Instalimi i mekanizmave reale të llogaridhënies, është jo vetëm i domozdoshëm por edhe përcaktues për fatin e perspektivës së vendit.
Jo vetëm reforma në letër, por dënime konkrete për zyrtarë të lartë, dhe jo presion ndaj drejtësisë dhe thjeshtëzim të përgjegjësisë reale, të shtetarëve, të cilët kanë shpërdoruar në mënyrë kriminale paratë e shqiptarëve.
Imperative, dekriminalizim i vërtetë i politikës
Imperativi i dekriminalizimit të vërtetë të politikës kërkon shumë më tepër sesa një listë formale personash të ndaluar për kandidim. Ai nënkupton një proces të thellë pastrimi të sistemit politik duke goditur tre burime reale të kriminalizimit:
financimin e fushatave, ndërthurjen e interesave ekonomike me vendimmarrjen publike dhe ndikimin e rrjeteve kriminale në administratë. Në qendër të tij qëndron transparenca radikale e parasë që hyn në politikë, kontrolli i konfliktit të interesit dhe ç’rrënjosja e mekanizmave përmes të cilëve krimi blen mbrojtje institucionale. Kjo nënkupton jo vetëm ligj, por kulturë politike të re, shtet që funksionon dhe shoqëri që monitoron pa kompromis.
Edukim qytetar i ndëshkueshmërisë së korrupsionit
Edukimi qytetar i ndëshkueshmërisë së korrupsionit është një prej shtyllave që garanton transformim të qëndrueshëm institucional. Lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm çështje ligji, por proces formimi kulturor që duhet të fillojë herët, në shkolla e universitete, ku fëmijët dhe të rinjtë mësojnë parimet e meritokracisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë publike. Në administratë, kjo kulturë duhet të përkthehet në standarde profesionale të detyrueshme, në trajnime të vazhdueshme dhe në mekanizma monitorimi që e bëjnë abuzimin jo vetëm të rrezikshëm, por moralisht të papranueshëm.
Në nivel qytetar, edukimi i ndëshkueshmërisë krijon një shoqëri që nuk pranon kompromis me të keqen publike: që denoncon, që kërkon llogari, që voton mbi bazën e integritetit dhe jo patronazhit. Kur qytetarët e shohin korrupsionin si dëm kolektiv dhe jo si instrument për përfitim personal, atëherë korrupsioni humb terrenin social që e ushqen. Krijimi i kësaj kulture është themeli mbi të cilin ngrihet çdo shtet funksional.
Shqipëria në kërkim të një morali të ri politik
Shqipëria në kërkim të një morali të ri politik nuk ka nevojë për një retorikë tjetër, por për një përmbysje të mënyrës si konceptohet pushteti. Tridhjetë vitet e tranzicionit nuk dëshmojnë për një vend të paaftë, por për një klasë politike që ka preferuar stabilitetin e korrupsionit ndaj rrezikut të reformës së vërtetë. Ajo që ka munguar nuk ka qenë kapaciteti shoqëror për ndryshim, por një arkitekturë përgjegjësie që e detyron pushtetin të shërbejë e jo të sundojë.
Krimi dhe korrupsioni nuk janë fatalitet kulturor.
Janë produkt i institucioneve të dobëta, i mungesës së transparencës, i pandëshkueshmërisë dhe i një etike publike të shkelur për dekada. Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm kur politika ndalet së funksionuari si menaxhim privat i shtetit dhe kur qytetari rikthehet në qendër si arbitër i ligjshëm i interesit publik.
Morali i ri politik presupozon integritet, meritokraci dhe vullnet për të thyer rrethoren e vjetër të varësisë midis pushtetit dhe parasë. Ai kërkon një klasë udhëheqëse që kupton se legjitimiteti nuk fitohet me propagandë, por me rezultate, standarde dhe transparencë. Shqipëria ka burime njerëzore të jashtëzakonshme, energji krijuese dhe një shoqëri civile që po maturohet. Çfarë i duhet është një horizont i ri normativ, ku politika matet me moral publik dhe jo me fuqinë e patronazhit.
Kjo analizë synon t’i japë emër sëmundjes, jo për të dekurajuar, por për të ndërtuar kurën. Nëse ka një recetë që ka probabilitet të funksionojë, ajo fillon me shkëputjen e plotë të politikës nga pronësia klienteliste e shtetit dhe me rikthimin e qytetarit si sovran real, pjesëmarrës, i informuar dhe i paanshëm. Ky është themeli mbi të cilin ngrihet çdo republikë funksionale.







