HomeOP EDBashkëpunëtorët e pamundur të drejtësisë/nga FLORJAN KALAJA

Bashkëpunëtorët e pamundur të drejtësisë/nga FLORJAN KALAJA

Advertismentspot_img

FLORJAN KALAJA

Pas muajit të dytë të hulumtimeve mbi projektin e Kodit të ri Penal, konstatoj që, si në çdo institut, edhe bashkëpunimi me drejtësinë shfaq plot me problematika kushtetuese dhe ligjore.

Fillimisht sjell në vëmendje se shteti, duke synuar të luftojë efektivisht fenomenet më kriminale në shoqëri, ka krijuar një sistem privilegjesh penale për të pandehurit apo të dënuarit që me dëshminë e tyre ndihmojnë hetimin, zbulimin, identifikimin, procedimin penal të autorëve të këtyre veprave penale, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale, parandalimin e kriminalitetit dhe zhdëmtimin e viktimave të veprës penale. Këto subjekte të posaçme janë bashkëpunëtorët e drejtësisë. Për ta bërë joshës këtë proces dhe për të inkurajuar autorët e veprave penale të heqin dorë nga aktiviteti kriminal dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë, shteti ka krijuar sistemi i privilegjeve penale, të cilat konsistojnë në uljen e dënimit apo në përjashtimin nga dënimi për këto subjekte.

Së pari, sikurse ka treguar në vijimësi, konstatohet se grupi i punës në projekt përdor sërish përsëritjen për së pesti të rregullave që në thelb duhet të jenë vetëm 1. Kështu neni 60/2/ 3, neni 144/1/3/4/5, neni 492/3, neni 493/3, neni 494/3 të projektit të Kodit të ri Penal rregullojnë të gjitha së bashku uljen dhe përjashtimin nga dënimi të bashkëpunëtorit të drejtësisë. Jo vetëm që ka përsëpestje (përsëritje për të pestën herë), por rezulton se ka edhe përsëritje kundërthënëse. Kështu, privilegji i përjashtimit të dënimit, ndryshe rregullohet nga neni 60/2, neni 144/1/3/4/5, neni 492/3, neni 493/3, neni 494/3 dhe ndryshe rregullohet nga pika 3 e nenit 60 e projektit. Në rregullimet e para akordohet edhe pa kushtëzimin e pikës 3 të nenit 60, ndërsa në këtë të fundit duhet që ndihma e bashkëpunëtorit të drejtësisë të jepet detyrimit para nisjes së procedimit penal. Një konfuzion i tillë normativ është i papranueshëm lidhur me standardin e qartësisë dhe saktësisë që duhet të ketë ligji penal.

Së dyti, risia e këtij projekti mbi bashkëpunëtorët e drejtësisë është se për herë të parë ato janë futur në fushën e veprimit të dispozitës që parashikon uljen e dënimit nën minimumin ligjor. Prima facie duket se gjithçka është në rregull në këtë botëkuptim të grupit të punës. Por problemet nisin kur lexohet dispozita e uljes së dënimit nën minimum. Kjo mundësi lejohet nga gjykata vetëm për veprat penale, të cilat dënohen në minimumin e tyre jo më shumë se 5 vjet burgim dhe kur janë të pranishme më shumë se sa tre nga rrethanat lehtësuese dhe asnjë rrethanë rënduese. Më tej grupi i punës prezanton edhe një kufizim ligjor kategorik, që është i pari në llojin e tij në historinë e shtetit shqiptar. Por gjithë sa rregullon pjesërisht dhe prish tërësisht pika 1 e kësaj dispozite, ngjan se e prish tërësisht pika 2 e saj, pasi ndalon gjykatën në zbatimin e uljes së dënimit nën kufijtë minimal të parashikuar nga ligji apo ndalon gjykatën që të caktojë një dënim më të butë nga ajo që cakton dispozita përkatëse në rastet kur: (i) bashkëpunëtori i drejtësisë është përsëritës; (ii) kur bashkëpunëtori i drejtësisë ka kryer vepra penale të çdo lloj forme të korrupsionit; (iii) kur bashkëpunëtori i drejtësisë ka kryer vepra penale të trafikimit të lëndëve narkotike; (iv) kur bashkëpunëtori ka kryer krime kundër drejtësisë; (iv) apo kur bashkëpunëtori i drejtësisë ka kryer vepra penale në kuadër të veprimtarisë së strukturave kriminale të bashkëpunimit të posaçëm. Kështu, nuk do shumë aftësi intelektuale të kuptohet se grupi i punës këtë kategori subjektesh e përjashton apriori nga mundësia e uljes së dënimit nën minimumin e parashikuar nga ligji.

Por kjo pamundësi ligjore për kompozimin me diskrecionin e gjykatës në çdo çështje dhe rast pas rasti të privilegjit penal të uljes së dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë rezulton se në praktikë mund të sjellë problematika në individualizimin e masës proporcionale të dënimit, pasi në rastet e veprave penale ndër më të rëndat dënimet minimum kufizohen në 10 vjet, 15 vjet, 20 vjet, 25 vjet, 30 vjet apo edhe 35 vjet burgim duke u alternatuar dënimi me burgim krahas dënimit me burgim të përjetshëm. Pyetja që natyrshëm shtrohet është nëse është në gjendje shteti të joshë dhe të inkurajojë të pandehurit të bashkëpunojnë me drejtësinë përmes reklamimit në ligj të sanksioneve të tilla minimum të dënimit me burgim?! Përgjigja është dëshpëruese.

Së treti, rezulton se për herë të parë në historinë shtetit shqiptar ndalohen kategorikisht alternativat e dënimit me burgim në bazë të titujve të veprave penale, për dënimet me burgim deri në 5 vjet, konkretisht bëhet fjalë për nenin 157/2; 158/2; 161/1/7; 162/3; 163/3; dhe 166/3 të projektit të Kodit të ri Penal. Vlerësoj se nuk duhet të ketë parashikime të tilla përjashtimore aprioristike për subjektet bashkëpunëtorë të drejtësisë nga mundësia e zëvendësimit të dënimit me burgim dhe nga mundësia e akordimit ndaj tyre të dënimeve alternative. Ky vlerësim vjen jo për të zbutur në mënyrë joproporcionale dhe të pamerituar politikën penale të ndëshkimit dhe retribucionit të fenomeneve kriminale më të rrezikshme në shtet dhe në shoqëri. Përkundrazi, ky vlerësim vjen si pasojë e nevojës dhe domosdoshmërisë që shteti të ketë sa më shumë mundësi ligjore dhe sa më pak vetëkufizime ligjore në luftën kundër kriminalitetit të organizuar, korrupsionit, veprave penale të dhunshme, krimeve kundër të miturve, veprave penale kundër sistemit të drejtësisë, rendit publik, krimeve financiare dhe krimeve në veprimtaritë e shoqërive tregtare. Ndaj shteti duhet të japë akses për bashkëpunëtorët e drejtësisë edhe në format e zëvendësimit të dënimit me burgim dhe në alternativat e dënimit me burgim, duke krijuar operativitet më të madh veprimi për prokurorinë dhe për gjykatën, në mënyrë që të inkurajohet shndërrimi i të pandehurve apo të dënuarve në bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe në mënyrë që të krijohet hapësira e nevojshme dhe e domosdoshme ligjore për shpërblimin e drejtë dhe proporcional të tyre në raport me kontributin e dhënë prej dëshmisë në suksesin e procedimeve penale. Konstatoj me keqardhje se kjo pjesë e rregullimit normativ që propozohet të shndërrohet në ligj përbën regres në raport me parashikimet në fuqi të dënimeve alternative të Kodit Penal. Edhe në këtë drejtim projekti i Kodit të ri Penal përbën modelin e ligjit penal më represiv që ka ekzistuar deri më sot.

Së treti, neni 154 i këtij projekti rregullon periudhën e sigurisë, konkretisht urdhërimin gjyqësor sipas të cilit ndaj të dënuarit nuk zbatohet instituti i lirimit me kusht pas plotësimit të periudhës së detyrueshme ligjore të vuajtjes së dënimit me burgim. Për herë të parë në 113 vjet shtet pika 2 e kësaj dispozite parashikon se vendosja e periudhës së sigurisë është e detyrueshme nga gjykata për dënimet e dhëna nga 20 vjet burgim e lart dhe me burgim të përjetshëm. Ndërkohë pika 4 e saj parashikon se afatin kohor i periudhës së sigurisë është nga tre të katërtat e dënimit të dhënë nga gjykata deri në kohëzgjatjen e plotë të dënimit penal. Nuk ka asnjë përjashtim nga zbatimi i këtij instituti për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Kjo do të thotë se këto subjekte, mirë që nuk përfitojnë dot praktikisht nga zbatimi i nenit 145 për uljen e dënimit nën minimum, por përjashtohen nga mundësia e ardhshme e rishikimit të dënimit përmes zbatimit të lirimit me kusht, duke u detyruar ta vuajnë dënimin deri në ditën e fundit të masës së caktuar nga gjykata edhe pse kanë kontribuar në mënyrë vendimtare për suksesin e procesit penal. Edhe në këtë drejtim projekti i Kodit të ri Penal përbën modelin e ligjit më represiv penal deri më sot.

Së katërti, nenet 151, 152 dhe 153 të projektit të Kodit të ri Penal parashikojnë masa stratosferike të madhësisë së dënimit me burgim në rastin e kryerjes së disa veprave penale, në rastin e kryerjes së krimeve vazhduese apo në rastin e bashkimit të dënimeve. Këto masa janë të tilla që shkojnë në 40 vjet burgim apo 45 vjet burgim. Ka edhe dënim penal me formula matematike të tipit “dyfishi i maksimales së dënimit”. Për këto tre dispozita do të shkruaj në vijim mbi problematikën kushtetuese dhe konventore që mbartin. Sot do të ndalem tek efekti kolateral dhe i pamenduar fare nga grupi i punës, që këto dispozita, pa parashikuar përjashtime në fushën e zbatimit të tyre, passjellin në pozitën procedurale të bashkëpunëtorit të drejtësisë. Me teknika të tilla të uljes së dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë, që janë njëkohësisht teknika të caktimit të dënimit për të pandehurit e zakonshëm, vlerësoj se vetëm grupi i punës duhet të shpjegojë se cilin target të të pandehurve kërkon të joshë dhe të inkurajojë për të bashkëpunuar me drejtësinë. Sigurisht që relacioni fjalëpak nuk ka asgjë rresht për këtë problematikë apo vizion të grupit të punës.

Së pesti, grupi i punës rezulton se në nenin 154 dhe në nenin 178 të projektit të Kodit të ri Penal, i ka shtuar rrethana ligjore aprioristike dhe kategorike për të ndaluar lirimin me kusht, nga 7 të tilla që ekzistojnë sot në 18 që propozohen të shndërrohen në ligj nesër. Sikurse sot, por akoma shumë më rëndë se sa sot, ky projekt nuk ka parashikuar një përjashtim normativ nga fusha e zbatimit të këtyre rregullave për subjektin e posaçëm, bashkëpunëtorin e drejtësisë. Edhe në këtë drejtim rezulton se projekti i Kodit të ri Penal është modeli më represiv i ligjit që është propozuar dhe ka ekzistuar deri më sot.

Në këtë mënyrë grupi i punës na tregon se bashkëpunëtorët e drejtësisë, që ndihmojnë shtetin të ketë sukses në vendosjen e drejtësisë penale tek veprat më të rënda penale, do të duhet ta vuajnë dënimin me burgim të përjashtuar nga mundësia e uljes së dënimit nën minimumin ligjor, të përjashtuar nga mundësia e zëvendësimit të dënimit me burgim, të përfshirë në parashikimin e periudhës së sigurisë dhe, sikur të gjitha këto rëndesa penale të mos mjaftonin, ato duhet të përjashtohen kategorikisht dhe apriori edhe nga mundësia e lirimit me kusht. Paradoksi i logjikës juridike të grupit të punës në këtë pjesë është i habitshëm, pasi në nenin 60 dhe 144 të projektit lejojnë gjykatën që të ulet apo të shuhet dënimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë që vendos të bashkëpunojë gjatë vuajtjes së dënimit, duke u parashikuar mundësia edhe e ndryshimit të dënimit me burgim të përjetshëm në dënimin me burgim ndërkohë. Nga ana tjetër po i njëjti grup pune në nenin 145, 154, 157/2 dhe 178 ndalon gjykatën që t’i ulë dënimin nën minimum, ta zëvendësojë atë me dënim alternativ apo të zbatojë lirimin me kusht ndaj një bashkëpunëtori të drejtësisë që ka bashkëpunuar gjatë gjykimit në themel dhe që është dënuar tashmë si i tillë. Mesazhi implicit që grupi i punës përcjell, edhe pse në mënyrë të paqëllimtë, është se, nëse do të bashkëpunosh me drejtësinë, mos e bëj para se të dënohesh, por bëje pasi të dënohesh!

Grupi i punës, me mendjelehtësi dhe shkujdesje, megjithëse të bindur se në këtë mënyrë dhe përmes filozofisë së “moratoriumeve” ashpërsojnë politikën penale ndaj këtyre fenomeneve kriminale, në të vërtetë dekurajojnë, mpakin dhe dobësojnë mundësitë e shtetit për të zbuluar dhe proceduar penalisht këto vepra penale, pasi institutit të bashkëpunimit me drejtësinë i mohojnë reklamimin, promovimin, tërheqjen dhe inkurajimin kundrejt të pandehurve të përfshirë në krim. Për rrjedhojë vlerësoj se është e nevojshme dhe e domosdoshme që të gjitha këto gabime konceptuale të korrigjohen ndërkohë dhe të konceptohet një status material i posaçëm për bashkëpunëtorët e drejtësisë, që të mundësojë efektivisht inkurajimin dhe joshen e kriminelëve për t’u shkëputur nga krimi dhe për t’iu atashuar së drejtës. Në këtë mënyrë ligji penal material do të lejonte vetveten që të zgjeronte proporcionalisht, pragmatisht dhe drejtësisht diskrecionin gjyqësor për të individualizuar privilegjin penal të uljes së dënimit dhe përjashtimin nga dënimi për bashkëpunëtorin e drejtësisë. Gjithashtu vlerësoj se nuk ka vend kushtetues dhe konventor për asnjë automatizim ligjor penal të filozofisë “moratorium” që grupi i punës e përdor rëndom si modus operandi në projekt.

Autori, GJYQTAR NË GJYKATËN E POSAÇME TË APELIT KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular