“Nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as në paqe”, deklaroi kancelari Friedrich Merz, duke folur për një zhvendosje tektonike të qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit dhe jo thjesht për luhatje në marrëdhëniet mes shteteve.
Duke iu referuar çështjeve të brendshme të vendit të tij, ai e përshkroi Gjermaninë si një rast që ka nevojë për rinovim.
“Me shumë gjasë do t’i kuptojmë përmasat e asaj që po përjetojmë në botë vetëm pas shumë vitesh. Nuk bëhet fjalë për luhatje të marrëdhënieve të mira.
Bëhet fjalë për një zhvendosje reale tektonike të qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit”, deklaroi kancelari duke folur në kongresin e Unionit Kristian-Social (CSU) që u zhvillua në Mynih, duke theksuar se epoka e “Pax Americana” ka marrë fund.
“Nostalgjia nuk do të na ndihmojë. Ky është realiteti. Amerikanët tani po i promovojnë interesat e tyre me forcë të madhe dhe për këtë arsye edhe ne duhet tani të promovojmë interesat tona”, shtoi ai.
Duke iu referuar Ukrainës dhe rëndësisë së vazhdimit të mbështetjes ndaj saj, Merz tha:
“Po, nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as në paqe. Nëse Putini do ta pushtoj Ukrainën, kjo nuk do t’i mjaftonte. Atëherë në shënjestër do të ishte Bashkimi Evropian.
Dhe unë nuk jam i gatshëm ta vë në rrezik, si me hedhje shorti, periudhën më të gjatë të paqes në kontinentin tonë”, theksoi ai, duke përmendur katër prioritete: mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, kohezionin brenda BE-së dhe brenda NATO-s, si dhe investime masive në aftësitë e mbrojtes.







