Në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po rriten kapacitetet dhe efikasiteti i shërbimit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, e shoqëruar nga Drejtoresha e QSUT-së, Anxhela Paparizo, dhe shefi i Shërbimit Onkologjik, dr. Helidon Nina, inspektoi ambientet e reja të Shërbimit të Kemioterapisë, ku tashmë funksionojnë tre salla të dedikuara që ofrojnë trajtim për rreth 100 pacientë ditorë, ndërkohë që po punohet për hapjen e sallës së katërt.
Si rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale me donatorë, kapacitetet e kimioterapisë kanë shkuar në 30 poltrona të posaçëm, të cilat pritet të dyfishohen shumë shpejt, duke rritur efikasitetin në menaxhim dhe lehtësuar ndjeshëm fluksin e pacientëve.
Gjatë vizitës, ministrja vlerësoi kontributin e donatorëve dhe falënderoi stafin mjekësor për vijimin e shërbimit pa ndërprerje edhe gjatë punimeve për hapjen e sallës së re dhe ndërhyrjet në dy sallat ekzistuese.
Ministrja theksoi se investimet do të vijojnë, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve dhe në garantimin e barnave onkologjike.
“Ky është vetëm hapi i parë. Puna për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit në Spitalin Onkologjik vijon në mënyrë sistematike, me investime si në rritjen e kapaciteteve ashtu edhe në garantimin e barnave onkologjike.
Paralelisht, Spitali Onkologjik ka nisur zbatimin e shërbimeve të reja digjitale, si receta elektronike dhe dosja elektronike e pacientit (e-file), duke përmirësuar ndjekjen dhe menaxhimin e trajtimit për çdo pacient.








