Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti njoftoi se këtë të shtunë , nga porti i Mersinit në Turqi, u nis drejt Gazës anija me ndihma për popullin palestinez.
Ai u shpreh se edhe pse vendimi për ndihmën ishte marrë që në muajin janar, dërgimi i saj u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit të arritur në muajin tetor me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Trump.
“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza”- shkroi Kurti në rrjetin Facebook, ndërsa falënderoi Turqinë për ndihmën e dhënë në realizimin e operacionit humanitar.
Kurti bëri me dije se dërgesa në vlerë prej 500 mijë eurosh përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë për banorët e enklavës palestineze të shkatërruar nga lufta







