Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një vizitë në Selinë e Shenjtë, ku është pritur në audiencë të veçantë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik.
Në qendër të këtij takimi të nivelit të lartë ishte kërkesa e drejtpërdrejtë e Presidentes së Kosovës për njohjen e pavarësisë nga Vatikani, një hap që sipas Osmanit do të vuloste paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Evropë.
Përmes një videomesazhi nga sheshi i Vatikanit të publikuar në rrjetet sociale, Presidentja Osmani e cilësoi këtë ditë si vendimtare për marrëdhëniet dypalëshe. Ajo theksoi se i ka përcjellë Papës dëshirën e popullit të Kosovës për t’u bërë pjesë e barabartë e familjes së kombeve të lira.
“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Vatikani më në fund të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për të jetuar i lirë, i pavarur dhe në demokraci,” deklaroi Osmani.
Argumenti historik dhe kulturor
Gjatë bisedës me Papa Leo XIV, Presidentja Osmani, nëpërmjet videomesazhit, bëri të ditur se nuk u ndal vetëm te argumentet politike, por evidentoi rrënjët e thella të krishterimit në trojet shqiptare. Ajo përmendi rolin historik të Dardanisë në historinë e hershme të krishterimit dhe humanizmit evropian, duke sjellë në vëmendje figura unifikuese si Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza.
Pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe ftesa zyrtare që Presidentja i bëri kreut të Kishës Katolike për të vizituar Kosovën.
“E ftova Shenjtërinë e Tij që të vizitojë Kosovën, me shpresën që një vizitë e tillë të realizohet sa më parë,” u shpreh Osmani, duke përcjellë gjithashtu urimet e popullit të Kosovës për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.







