Ka zgjatur rreth 5 orë mbledhja urgjente e Kryesisë së Partisë Demokratike, e thirrur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv/kryeministres, Belinda Balluku.
Mbledhja, e cila pritej të organizonte aksionin opozitar, duket se është dominuar edhe nga debate të brendshme.
Pas përfundimit të diskutimeve, anëtari i kryesisë së PD-së, Ervin Salianji doli në një prononcim për mediat, duke shprehur zhgënjimin që fokusi i Kryesisë u zhvendos nga protesta kundër qeverisë te çështjet e brendshme të partisë.
“Më vjen mirë që në 4 orë pati protestë ndaj demokratëve të pakënaqur dhe gjysmë ore ndaj Ballukut,” deklaroi ai, duke shtuar se është i keqardhur për këtë zhvendosje të vëmendjes në një moment kritik politik.
Deputeti demokrat bëri përgjegjës drejtuesit e PD-së për atë që ai e quajti “paqartësi në vendimmarrje”, në lidhje me Avokatin e Popullit, duke sjellë në vëmendje një shembull nga e shkuara e partisë.
“Vendimmarrja e PD ishte e paqartë në mjaft situata. Kur u zgjodh Bamir Topi president, në momentin që 6 deputetë të PS votuan, pati dorëheqje të menjëhershme. Nuk mund të rrimë peng i interesave,” u shpreh Salianji, duke paralajmëruar se çdo akuze do t’i përgjigjet me fakte dhe emra konkretë në vijim.
Sipas tij, organizimi i protestave dhe revoltës ndaj qeverisë për shkak të skandalit Rama-Balluku është një gjë e mirë.
“Jam i gëzuar që vendimmarrja për protestën e datës 22 shkoi aty ku e kam kërkuar prej kohësh,” përfundoi ai.







