nga Agron Haxhimali
Shqipëria e sotme ndodhet në një gjendje të mjegullt, ku kufijtë mes realitetit dhe perceptimit janë bërë të paqartë. Në pothuajse çdo aspekt-politik, social, ekonomik dhe kulturor,shfaqen shenja të një krize të thellë që nuk është vetëm institucionale, por edhe mendore e morale.
Korrupsioni i lartë, emigrimi masiv, përqendrimi tepruar i pushtetit në duart e një qeverie që kontrollon pothuajse gjithë arkitekturën shtetërore, dobësimi i pushteteve të pavarura, kapja e mediave, dobësimi dhe fragmentimi i opozitës dhe shoqërisë civile pro qeveritare, të gjitha këto nuk janë fenomene të izoluara, por pjesë e një sistemi që vetë-riprodhohet. Një sistem ku propaganda për “suksese” dhe “arritje” shërben më shumë për të mbushur boshllëkun e mungesës së shpresës sesa për të reflektuar realitetin.
Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare duket e ndarë në tre shtresa kryesore. Një pjesë, e afërt me pushtetin, përfiton dhe ndjehet fitimprurëse nga angazhimet dhe lidhjet që kanë. Një pjesë tjetër jeton ose mbijeton, duke u përballur çdo ditë me kufijtë e mundësive dhe pamundësive. Ndërsa pjesa e tretë, ndoshta më e madhja sheh, dëgjon dhe hesht. Jo domosdoshmërisht nga mungesa e vullnetit, por nga paqartësia: nuk di çfarë të bëjë, nuk sheh rrugëdalje, dhe jeta e ka vendosur në një gjendje pritjeje pasive.
Këtu lind pyetja thelbësore:A është Shqipëria ajo që shohim dhe përjetojmë çdo ditë, apo ajo që nuk po arrijmë ta kuptojmë?
Ndoshta problemi më i madh nuk është vetëm realiteti i vështirë, por mënyra se si e mendojmë dhe e përvetësojmë atë. Shoqëria jonë duket se ka pranuar një normalitet të deformuar, ku padrejtësia, korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë nuk shkaktojnë më indinjatë, por lodhje. Ky është një moment kritik: kur padrejtësia nuk na revolton më, por na mpin.
Nga ky këndvështrim, problemi shqiptarë nuk është vetëm politik apo ekonomik, por një krizë e mendimit kritik. Një krizë e aftësisë për të pyetur, për të dyshuar, për të reflektuar thellë dhe për të parë përtej sipërfaqes. Pa këtë reflektim, çdo ndryshim mbetet i pamundur, sepse ndryshimi i vërtetë nis gjithmonë nga mënyra se si mendojmë realitetin.
Prandaj, nevojitet një kthesë në vetëdijen kolektive. Një ftesë për të parë më largë dhe më thellë, për të mos u kënaqur me narrativat e gatshme, për të mos pranuar realitetin si të pandryshueshëm. Të mendosh për të ardhmen nuk do të thotë vetëm të shpresosh, por të kuptosh rrënjët e problemit në të tashmen.
Shqipëria nuk është thjesht ajo që shohim sot. Është edhe ajo që nuk po arrijmë ose nuk guxojmë ta kuptojmë. Dhe vetëm duke e kuptuar, mund të hapim rrugën për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzore.







