HomePolitikeSpiropali të martën në Athinë, ministrja për mediat greke: Bisedime 360 gradë...

Spiropali të martën në Athinë, ministrja për mediat greke: Bisedime 360 gradë për çështjet në tryezë mes Shqipërisë dhe Greqisë

Advertismentspot_img

Përpara vizitës së saj zyrtare në Athinë të martën e ardhshme, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dha këtë fundjavë një intervistë për gazetën greke TA NE

E pyetur për agjendën e çështjeve që do të trajtojë me homologun e saj grek Giorgos Gerapetritis, ministrja theksoi se “po vij në Athinë për të diskutuar 360 gradë, për gjithçka”.

“Për listën tonë shumë të gjatë, e theksoj, shumë të gjatë, të bashkëpunimit dhe pikave të forta, por edhe për fushat ku mund të përmirësohemi. Për Shqipërinë, Greqia është një partner strategjik, një fqinj me rëndësi të jashtëzakonshme, dhe vullneti ynë është të ecim përpara në frymën e bashkëpunimit të ngushtë, miqësisë dhe vlerave evropiane. Marrëdhëniet tona janë tashmë shumë të afërta.
Megjithatë, besoj se ato mund të zgjerohen në fusha strategjike si energjia, veçanërisht energjia e rinovueshme dhe siguria energjetike rajonale, mbrojtja e mjedisit, transformimi digjital, turizmi, siguria dhe shumë të tjera”, tha Spiropali.

Duket se vizita e parë zyrtare e ministres së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Eliza Spiropali, pasnesër në Athinë pritet me interes të madh.

Shembull i qartë është intervista për gazetën greke Ta Nea, ku Spiropali shprehet e vendosur se vjen në kryeqytetin grek të diskutojë “për gjithçka” me homologun grek, Jorgo Gerapetritis, duke e cilësuar Greqinë si një partner strategjik për Shqipërinë.

Në dy prej katër pyetjeve drejtuar asaj, referuar axhendës së bisedimeve, kryediplomatja shqiptare thekson se dialogu do të jetë gjithëpërfshirës, 360 gradë, siç është shprehur tekstualisht – nga bashkëpunimi ekzistues deri te fushat ku ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm.

Ajo nënvizon se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të zgjerohen në sektorë strategjikë si energjia, sidomos burimet e rinovueshme dhe siguria energjetike rajonale, mbrojtja e mjedisit, transformimi dixhital, turizmi dhe siguria. “Le të fillojmë një kapitull të ri, atë më të mirin deri tani në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë”, ka thënë ajo.

E pyetur për hapat e mëtejshëm në çështjet ende të pazgjidhura mes dy vendeve, mes të tjerash edhe atë të delimitimit të zonave detare, ajo ka theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për zgjidhjen e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë, duke lënë të hapur rrugën e dialogut dhe mekanizmave ligjorë ndërkombëtarë.

Në intervistën e saj, ministrja shqiptare i kushton rëndësi edhe rolit të diasporës shqiptare në Greqi, duke deklaruar se do të ngrejë çështje që lidhen me lehtësimin e procedurave administrative, futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat greke, apo edhe finalizimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore, e cila do të garantojë njohjen e drejtë të pensioneve dhe kontributeve për emigrantët shqiptarë në Greqi.

Gjithashtu, Spiropali ndalet edhe te procesi i integrimit evropian, duke e cilësuar atë si një objektiv strategjik dhe një domosdoshmëri praktike për Shqipërinë. Ajo vlerëson mbështetjen e Greqisë edhe në vitet e kaluara, edhe tani, dhe shprehet optimiste se presidenca greke e BE-së në vitin 2027 do ta mbajë zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor në qendër të axhendës evropiane.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular