Instituti i Statistikave publikoi këtë javë nivelin e pagave mesatare në administratën publike dhe në privat, për tremujorin e tretë të këtij viti.
Të dhënat flasin se paga mesatare bruto arriti në 83 mijë lekë, në stanjacion me periudhën e mëparshme, por me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por kush janë tre sektorët që ofrojnë dhe pagat më të mira në treg? Në vend të parë është tregu financiar, në vend të dytë është tregu i komunikacionit dhe në vend të tretë është tregu i pasurive të patundshme.

Rezart Lahi sipërmarrës në fushën e Real-Estate thotë se si pasojë e rritjes së interesit për prona nga brenda dhe jashtë vendit, puna si agjent imobiliar po bëhet edhe më e kërkuar.
“Ndonëse paga mesatare në këtë sektor sipas Instat arrin në 89 mijë lekë, unë mendoj që ajo është më e lartë. Agjentët janë punonjës që nuk kanë pagë. Ata operojnë me bonuse dhe me komision për shitje të pronave. Këto të ardhura janë të ndryshme nga një muaj në tjetrin. Por ajo që po shohim është se janë me mijëra agjentët që janë bërë pjesë e këtij tregu”, tha Lahi gjatë një intervistë në Vizion Plus.
Nisur edhe nga rritja që ka pësuar tregu i pasurive të patundshme, numri i lartë i shit-blerjeve të pronave, tregu është bërë atraktiv për shumë të rinj.
Lahi thotë se ky treg do të vijojë të rritet edhe në 2026.
“Nëse kemi patur 2 mijë agjentë tashmë jemi bërë 15 mijë të tillë. Dikush e mbyll me shumë pak lekë muajin dhe dikush merr 3-5 mijë euro në muaj. Pra është fleksibël nga shitja e pronave. Mos harrojmë që nëse shitja e një vile që kushton 700 mijë euro, komisioni për agjentin shkon edhe 20 mijë euro”, tha Lahi
Sipas Lahit vitet e fundit ka një rritje të interesit për prona luksi, për shkak edhe të ndërtimeve cilësore, që janë kryer në kryeqytet dhe në zonat bregdetare. Vizionplus







